
Porti i ri i Porto Romanos, përzgjidhen 2 konsorciume ndërkombëtare për fazën finale
Projekti integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut

Konsorciumi holandez Van Oord Dredging and Marine Constractor dhe ai grek me seli në Holandë, Archirodon Construction Company Limited janë kualifikuar për fazën tjetër të procedurës për ndërtimin e Portit të ri të Porto Romanos.
Këto dy konsorciume do të paraqesin edhe ofertat ekonomike, ku edhe më pas do të përzgjidhet kompania fituese.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se ka përfunduar faza parakualifikuese dhe se 2 konsorciume janë përzgjedhur për të vijuar në fazën tjetër nga 5 konsorciume që u bënë pjesë e garës ndërkombëtare.
“Ndërtimi i Portit të ri në Porto Romano në rrugë të mbarë, përfundon faza e parakualifikimit. 5 konsorciume ndërkombëtare morën pjesë në një garë të hapur dhe transparente. Komisioni, i udhëhequr nga konsulenti ndërkombëtar Royal HaskoningDHV, kualifikoi 2 konsorciume, të cilët pas dorëzimit të dokumentacionit fizik do të paraqesin ofertat ekonomike”, tha Balluku.
Shqipëria, theksoi ajo, do të ketë një port model, një HUB në Mesdhe, i cili do t’i shërbejë të gjithë rajonit.
Fondi limit i parashikuar për ndërtimin e këtij porti është 39,3 miliardë lekë.
Projekti integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Është parashikuar t’i përgjigjet kërkesave Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve të tjera të rajonit për 4 dekadat e ardhshme.
Burimi ATSH



















