Marrëveshja me Kosovën e Kroacinë, Vengu: Aleancë për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, jo me qasje agresive

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se marrëveshja e nënshkruar në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë nuk është një marrëveshje që parashikon një qasje agresive ndaj dikujt tjetër në rajon


Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se marrëveshja e nënshkruar në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë nuk është një marrëveshje që parashikon një qasje agresive ndaj dikujt tjetër në rajon, por është një aleancë për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.

Në një intervistë televizive, Vengu detajoi marrëveshjen e nënshkruar dje mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes, ndërsa iu përgjigj edhe reagimeve që ka ngjallur kjo marrëveshje në Serbi.

“Kjo nuk është një marrëveshje që parashikon një qasje agresive ndaj dikujt tjetër në rajon. Kam parë edhe reagimet shpeshherë të medieve që e perceptojnë si një kërcënim ndaj Serbisë apo çdokujt tjetër në rajon. Nuk është e vërtetë. Ne nuk e shohim veten si një aleancë që ndërtohet kundër dikujt, por është një aleancë për mbrojtje dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes që këto tre vende të rrisin kapacitetet e tyre të mbrojtjes”, tha Vengu.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se është informuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mbi reagimin e palës serbe për këtë marrëveshje.

Por sipas tij, “Serbia e ka humbur shansin për t’u konsultuar për këtë çështje nga momenti që Serbia ka më shumë se dy vite që zbaton një politikë të ‘karriges bosh’ në takimet tona rajonale”.

“Serbia ka bojkotuar të gjitha takimet e Kartës së Adriatikut, mbledhjet e Ministrave të Mbrojtjes së rajonit e kështu me radhë. Praktikisht nuk mund të na kërkojë dikush të konsultohet me ne për këtë çështje kur nuk është në takimet ku ne flasim për këtë çështje. Shqipëria dhe Kroacia, si dy vende të anëtarësuara në NATO konsiderohen vende aleate me njëfarë eksperience dhe kanë një lexim të njëjtë për rajonin. Nuk kanë pse të konsultohen kur bëjnë një marrëveshje të përbashkët me Kosovën, e cila njihet nga Kroacia. Nëse Serbia do të kishte dashur të konsultohej mjafton të vinte në tryezat e bashkëpunimit rajonal, aty ku është e ulur edhe Kosova me të drejta të njëjta dhe Kroacia po ashtu”, tha Vengu.

Vengu bëri të ditur se marrëveshja është një punë e iniciuar para më shumë se 1 viti dhe e konkluduar në kuadër të ministerialit të fundit të NATO-s në Bruksel.

“Marrëveshja është një aleancë me Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës për të pasur një bashkëpunim më të thelluar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes bazuar në tre shtylla kryesore. Së pari synohet bashkëpunimi për të rivitalizuar industrinë ushtarake në vendet tona, për të bërë prokurime të përbashkëta, marrë dhe blerë pajisje për të treja vendet, si dhe të kemi edhe një rakordim të nevojave për tu armatosur dhe për të rritur kapacitetet në fushën e mbrojtjes”, tha ai.

Po ashtu, Vengu informoi se marrëveshja synon bashkëpunimin e Forcave të Armatosura të tre vendeve, në komponentin stërvitor, si dhe atë të dislokimit të forcave me misione të përbashkëta.

Ndërsa komponenti i tretë i marrëveshjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, ka të bëjë me mbështetjen e palëkundur që Kroacia dhe Shqipëria i japin Kosovës për t’u anëtarësuar në strukturat euroatlantike, duke përfshirë këtu edhe nismat rajonale shumë të rëndësishme në rrugën për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO.

“Element thelbësor i kësaj marrëveshje ka të bëjë e vëmendjen që ne kërkojmë që NATO të ketë përkundrejt sigurisë në Kosovë si dhe sigurisë dhe stabilitetit në gjithë rajonin tonë”, tha Vengu, ndërsa e konsideroi këtë marrëveshje një dokument të një aleance të natyrshme.

Pyetjes nëse marrëveshja parashikon edhe dislokimin e trupave shtesë nga Shqipëria dhe Kroacia në rast të një kërcënimi të Kosovës nga Serbia, Vengu iu përgjigj duke theksuar se “garancia kryesore e sigurisë së Kosovës është KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë”.

“Kroacia dhe Shqipëria kanë mbështetur rritjen e trupave të KFOR në Kosovë, sikundër edhe rritjen e kontingjenteve tona në misionin e BE-së në Bosnjë Hercegovinë. Garancia e dytë e sigurisë së Kosovës vjen përmes zhbllokimit të dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimit të Kosovës në të gjitha platformat rajonale të sigurisë”, shtoi ai.

Vengu konfirmoi se kjo është një marrëveshje e hapur, nuk është ekskluzive.

“Ne kemi marrë edhe shprehjen e interesit nga kolegët bullgarë për t’u përfshirë, sepse edhe ata kanë të njëjtin lexim të kërcënimeve në rajon, e njohin Kosovën dhe rëndësinë që ka integriteti i saj. E mirëpresim faktin nëse ka edhe vende të tjera që interesohen”, tha Vengu, ndërsa i pyetur mbi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut shtoi se “nëse këto vende do të shprehin dëshirën për t’ju bashkëngjitur parimeve të kësaj marrëveshje padyshim që jemi krejt të hapur”.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Të apasionuarit pas Vespa-s nga 17 shtete të ndryshme mblidhen në Durrës

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga 20-vjetori i themelimit të klubit “Vespa Shqipëri”.

Global 360

Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Të apasionuarit pas Vespa-s nga 17 shtete të ndryshme mblidhen në Durrës

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga 20-vjetori i themelimit të klubit “Vespa Shqipëri”.