
Projektligji për sponsorizimet, bizneset mund të zbresin deri në 30% të tatimit mbi fitimin për artin, kulturën dhe sportin
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet, e cilësuar si një reformë që synon të transformojë financimin e sportit, artit dhe kulturës, duke krijuar mundësi të reja për talentin shqiptar.

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet, e cilësuar si një reformë që synon të transformojë financimin e sportit, artit dhe kulturës, duke krijuar mundësi të reja për talentin shqiptar.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se, në këtë mënyrë i hapet rrugë një mekanizmi të ri, të mbështetjes financiare të këtyre sektorëve, të cilët me këtë politikë të re i trajtojmë si prioritarë për vlerën e shtuar sociale, edukative dhe ekonomike që ato gjenerojnë.
Kjo reformë e MTKS synon krijimin e një partneriteti të ri mes shtetit dhe biznesit, duke e kthyer sponsorizimin në një instrument real investimi për talentet shqiptare. Për herë të parë, bizneset që sponsorizojnë artin, kulturën dhe sportin, sipas dispozitave të reja, do të mund të zbresin faturën e sponsorizimit direkt deri në 30% të tatimit të tyre mbi fitimin. Skema parashikon një tavan deri në dy miliardë lekë të reja në vit, ose rreth 22 milionë euro, në dispozicion të financimit të sportit, artit dhe kulturës, përmes programeve të miratuara vjetore të buxhetit të shtetit.
Ministri Gonxhja tha se kjo do të sjellë një efekt zinxhir pozitiv rritës për eventet dhe bashkëfinancimet, për imazhin dhe prestigjin ndërkombëtar, për industrinë kreative dhe komunitetet sportive, duke rritur kohezionin dhe duke ulur kostot e shtetit në shëndetësi, siguri e çështje sociale.
Reforma sjell edhe një standard të ri transparence përmes regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve dhe mekanizmave të auditit dhe kontrollit.
Burimi ATSH


















