
Rama: Mbështetja ushtarake për Ukrainën e drejtë, duhej mbajtur hapur kanal bisedimi me Rusinë
Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot të gabuar përqendrimin vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi me Rusinë.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot të gabuar përqendrimin vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi me Rusinë.
Në një komunikim me mediet në mbërritje të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian (EPC) në Dublin, Irlandë, Rama komentoi edhe zhvillimet lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë dhe qëndrimin e komunitetit evropian në këtë drejtim.
“Pyetja nuk është se kujt mund t’i besojmë. Pyetja është çfarë është në interesin tonë më të mirë si komunitet evropian. Unë besoj se është bërë një gabim shumë i madh që diplomacia iu është lënë në dorë të tjerëve dhe ka një përqendrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, por pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi me Rusinë”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, e ardhmja e kontinentit është një e ardhme e përbashkët për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet.
“Na pëlqen apo jo Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi. Do të vazhdojë të qëndrojë aty. E ardhmja e kontinentit është një e ardhme e përbashkët për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe ndërkohë që mbështesim gjatë tërë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë”, shtoi Rama.
Rama theksoi se nuk duhet t’u takojë amerikanëve, kinezëve apo indianëve që të kenë vend në tryezë për të zhvilluar një bisedë me rusët.
“I takon Evropës të kuptojë se çfarë gabimi të jashtëzakonshëm ka bërë. Unë përfaqësoj një vend që nuk ka asnjë marrëdhënie me Rusinë. Që në vitet ‘60 nuk kemi pasur asnjë vizitë nga Kremlini e nuk kemi vizituar asnjëherë Kremlinin. Kështu që jam krejt i lirë të them që si evropian ndihem vërtetë shumë i trazuar që Evropa e ka mbështetur gjithçka vetëm tek armatimet dhe jo tek diplomacia”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ky është një gabim që është bërë dhe tani gjithçka po ndodh aktualisht është kostoja dhe çmimi që paguajmë për këtë gabim.
“Nuk më takon mua të ndreq gabimet e ‘të mëdhenjve’. ‘Të mëdhenjtë’ janë shumë të mëdhenj që t’u japësh leksione. Çështja është që Evropa e ka jashtëkontraktuar diplomacinë e saj te Donald Trump dhe ky është rezultati”, tha Rama.
Sipas tij Evropa duhet të kuptojë se ky gabim ka një çmim dhe ky çmim do të bëhet gjithmonë e më i lartë dhe i kushtueshëm nëse Evropa nuk zmbrapset për të folur me Rusinë, ndërkohë që mbështet Ukrainën.
“Tabloja e sotme na tregon pikërisht atë çfarë nuk kishim parashikuar kur nisi çdo gjë. Kurrë nuk është vonë të pranosh gabimet”, shtoi Rama.
Burimi ATSH


















