Banka Botërore: Modernizimi i pagesave ul kostot dhe përshpejton integrimin financiar të vendit në BE

Shqipëria po hyn në një fazë të re të modernizimit të sistemit të saj të pagesave


Shqipëria po hyn në një fazë të re të modernizimit të sistemit të saj të pagesave, ndërsa vendi po përparon drejt pagesave të shpejta dhe po integrohet gjithnjë e më shumë me tregun evropian të pagesave. Në Ballkanin Perëndimor, reforma të ngjashme po ndihmojnë në uljen e kostove për bizneset dhe familjet, përmirësimin e aksesit në pagesat digjitale dhe integrimin më të madh ekonomik të rajonit me Evropën.

Transformimi i pagesave, me mundësitë dhe sfidat që ai sjell për ekonomitë dhe sistemet financiare, ishin në qendër të diskutimeve në Tiranë, në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare për Skemat Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturat e Tregut Financiar me Pakicë.

Në ditën e dytë të konferencës, Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, foli për të ardhmen e parasë dhe të pagesave.

“Përmes katër nismave kryesore, modernizimit të kartëmonedhave euro, zhvillimit të euros digjitale, mbështetjes së financës së tokenizuar përmes Pontes dhe Appia, si dhe ndërlidhjes së sistemeve të pagesave të shpejta, Banka Qendrore Evropiane synon të sigurojë një sistem monetar koherent, të besueshëm dhe të qëndrueshëm”, tha Cipollone.

Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, modernizimi i sistemeve të pagesave po përkthehet gjithnjë e më shumë në përfitime konkrete për bizneset dhe familjet.

Xiaoqing Yu, drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, theksoi rëndësinë e kalimit nga ndërtimi i infrastrukturës moderne të pagesave drejt përdorimit të saj në shkallë të gjerë.

“Pagesat janë pjesë e një mjedisi që sjell vende të reja pune, investime dhe mundësi. Pagesat më të lira dhe më të shpejta mund t’i ndihmojnë bizneset të investojnë, të zgjerohen dhe të nxisin krijimin e biznese të reja”, tha Yu.

Grupi i Bankës Botërore ka punuar me të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për harmonizimin e rregullave të pagesave dhe përafrimin e sistemeve me standardet e BE-së, duke mbështetur integrimin rajonal dhe lidhje më të ngushta me tregun evropian të pagesave.

Reformat e fundit po japin tashmë rezultate konkrete. Kostot e transfertave nga biznesi te biznesi janë ulur me rreth 90 për qind pas integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) në ekonomitë pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor.

Vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt pagesave të shpejta. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përgatiten për vënien në funksionim të sistemeve të tyre, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi i vunë ato në funksion në korrik. Kosova po përgatitet të ndjekë të njëjtën rrugë, ndërsa Serbia ka një sistem pagesash të shpejta që prej vitit 2018.

Këto sisteme mundësojnë kryerjen e pagesave brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit, dhe mund të shërbejnë si bazë për shërbime të tilla si pagesat me kode QR për tregtarët dhe transfertat përmes numrit të telefonit celular.

Pagesat digjitale me kosto më të ulët mund të sjellin gjithashtu përfitime të konsiderueshme për remitancat. Familjet në Ballkanin Perëndimor morën 13,7 miliardë dollarë remitanca në vitin 2023, ekuivalente me 8,6 për qind të PBB-së së rajonit. Megjithatë, dërgimi i 200 dollarëve vazhdon të kushtojë rreth 8 për qind të shumës. Ulja e kësaj kostoje në objektivin prej 3 për qind të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm mund t’u kursejë familjeve të emigrantëve deri në gjysmë miliardi dollarë në vit.

Për Grupin e Bankës Botërore hapi i radhës është të sigurohet që infrastruktura e re e pagesave të përkthehet në përdorim më të gjerë nga bizneset dhe qytetarët, krahas forcimit të sigurisë kibernetike, parandalimit të mashtrimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë qeveritë dhe bankat qendrore në të gjithë Ballkanin Perëndimor përmes asistencës teknike, financimit dhe shkëmbimit të njohurive, ndërsa rajoni avancon me modernizimin dhe integrimin e sistemeve të tij të pagesave.

Konferenca organizohet nga Shoqata Evropiane e Pagesave me Kartë, Grupi i Bankës Botërore dhe Banka e Shqipërisë, duke bërë bashkë banka qendrore, operatorë të sistemeve të pagesave, politikëbërës dhe përfaqësues të industrisë nga Ballkani Perëndimor, Evropa dhe më gjerë.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Presidenti Begaj pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Izraelit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti ambasadorin e Shtetit të Izraelit, Ohad Nakash Kaynar, me rastin e paraqitjes së letrave…

Global 360

Kosova dhe Banka Botërore, marrëveshje për zhvillimin e ekoparqeve industriale

Projekti synon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese vendore, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, me fokus…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Presidenti Begaj pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Izraelit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti ambasadorin e Shtetit të Izraelit, Ohad Nakash Kaynar, me rastin e paraqitjes së letrave…