
INSTAT: Mbi 969 mijë vizitorë në strukturat akomoduese gjatë gushtit
Turizmi në Shqipëri vijoi të shënojë rritje në gusht 2026, me 10,3% më shumë vizitorë të akomoduar në struktura turistike dhe 12,5% më shumë net-qëndrime, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, bëri të ditur sot Instituti i Statistikave (INSTAT).

Turizmi në Shqipëri vijoi të shënojë rritje në gusht 2026, me 10,3% më shumë vizitorë të akomoduar në struktura turistike dhe 12,5% më shumë net-qëndrime, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, bëri të ditur sot Instituti i Statistikave (INSTAT).
Sipas të dhënave, në gusht të këtij viti u akomoduan 969 255 vizitorë, kundrejt 878 901 vizitorëve në të njëjtin muaj të vitit 2025. Rritja përfshiu si vizitorët rezidentë, me 9%, ashtu edhe ata jorezidentë, me 10,7%.
Net-qëndrimet e vizitorëve jorezidentë u rritën me 13,4%, ndërsa ato të rezidentëve me 9,8%, duke bërë që numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve të shënojë një rritje prej 12,5%.
Kosova kryeson listën e vendeve të origjinës së vizitorëve të huaj të akomoduar në Shqipëri, me 17% të totalit. Pas saj renditen Polonia me 12%, Italia me 10%, Franca me 8% dhe Gjermania me 7%. Vizitorët nga vendet e tjera përbëjnë 46% të totalit.
Në ndarjen sipas rajoneve, Jugu dhe Veriu regjistruan rritje të vizitorëve të huaj. Në rajonin e Jugut numri i jorezidentëve arriti në 244 132, nga 206 248 në gusht 2025, ndërsa në Veri u rrit në 241 765, nga 205 467. Në rajonin Qendër, numri i vizitorëve jorezidentë zbriti në 234 040, nga 238 393 një vit më parë.
Zona bregdetare mbeti zgjedhja kryesore e vizitorëve, me 573 106 jorezidentë dhe 198 369 rezidentë të akomoduar gjatë muajit gusht. Ndërkohë, hotelet dhe strukturat e ngjashme pritën 861 000 vizitorë, duke përbërë kategorinë dominuese të akomodimit.
Përmirësim u regjistrua edhe në shfrytëzimin e kapaciteteve hoteliere. Norma e shfrytëzimit të dhomave arriti në 67,4%, nga 61,5% në gushtin e vitit të kaluar, me një rritje prej 5,9 pikësh përqindjeje.
Treguesit e INSTAT-it dëshmojnë për një ecuri pozitive të sektorit të akomodimit gjatë sezonit veror, si në numrin e vizitorëve, ashtu edhe në kohëzgjatjen e qëndrimit dhe përdorimin e kapaciteteve hoteliere.
Burimi ATSH

















