
Aparate digjitale në Poliklinikën e Specialiteteve Elbasan, rritje e cilësisë së diagnostikimit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se aparatura e re mundëson realizimin e imazheve me rezolucion të lartë, diagnostikim më të saktë, si edhe kryerjen e procedurave në një kohë më të shkurtër

Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan është pajisur me një aparat të ri plotësisht dixhital për radiografi dhe fluoroskopi, investim që synon përmirësimin e cilësisë së diagnostikimit dhe rritjen e standardeve të shërbimit shëndetësor për qytetarët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se aparatura e re mundëson realizimin e imazheve me rezolucion të lartë, diagnostikim më të saktë, si edhe kryerjen e procedurave në një kohë më të shkurtër, duke rritur efikasitetin e shërbimit dhe cilësinë e kujdesit për pacientët.
Sipas MSHMS-së, investimi është pjesë e përpjekjeve për modernizimin e infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore në institucionet shëndetësore publike, me synim ofrimin e shërbimeve gjithnjë e më cilësore dhe bashkëkohore për qytetarët.
Pajisja me teknologji të avancuar diagnostikuese pritet të lehtësojë punën e personelit mjekësor, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e saktësisë së ekzaminimeve dhe përmirësimin e përvojës së pacientëve në marrjen e shërbimit.
Poliklinika e Specialiteteve është e organizuar në 40 kabinete, me akses të shpejtë dhe shërbime cilësore në 18 specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme dhe ekzaminime ambulatore e laboratorike.
Burimi ATSH


















