
Teqeja e Halvetive në Berat, nga më të bukurat në Ballkan
Teqeja e Halvetive është një nga realizimet më të mira arkitekturore të gjysmës së dytë të shek. XVIII në qytetin e Beratit.

Teqeja e Halvetive është një nga realizimet më të mira arkitekturore të gjysmës së dytë të shek. XVIII në qytetin e Beratit.
Ajo është ndërtuar në lindje të Xhamisë Mbret, e rrethuar nga një oborr me konakët e ndërtuar më vonë. Teqeja është ndërtuar nga guvernatori i Beratit, Ahmet Kurt Pasha në vitin (1781–1782), sipas mbishkrimit mbi dritaren e parë në të djathtë të derës së hyrjes.
Në sallën e lutjeve ndodhet një mahfil, ballkon i cili është i punuar në dru të dekoruar dhe është i pikturuar. Në muret e brendshme të teqesë janë pikturuar gjithsej 8 afreske në të cilat janë pikturuar banesa, objekte kulti myslimane si dhe peizazhe natyrore. Muret poshtë afreskeve përshkohen nga vrima të cilat përmirësojnë akustikën në sallë. Tavani i sallës së lutjes është i ndërtuar me dru dhe i dekoruar me piktura të cilësuara si më të bukurat për kohën. Ai është i dekoruar sipas stilit barok të përshtatur në artin islam dhe është i veshur me fletë ari.
Portiku i teqesë ka pesë kolona guri që janë marrë nga qyteti antik i Apolonisë. Sipër portës kryesore gjendet një mbishkrim që i kushtohet vlerave të teqesë dhe Ahmet Kurt Pashës.
Burimi ATSH


















