
Qeveria miraton marrëveshjen për rindërtimin e xhamisë së Shijakut
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme marrëveshjen me Myftininë e Komunitetit Mysliman për rindërtimin e xhamisë së Shijakut.

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme marrëveshjen me Myftininë e Komunitetit Mysliman për rindërtimin e xhamisë së Shijakut.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi në konferencën për mediet se vendimi i qeverisë i hap rrugën për rikthimin e një simboli të rëndësishëm për besimtarët, falë kontributit dhe solidaritetit të vetë komunitetit.
Në prag të fundit të Ramazanit, ky është një mesazh i fortë bashkimi, besimi dhe kujdesi për trashëgiminë shpirtërore.
Xhamia e Shijakut u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe në vend të saj do të ndërtohet objekti i ri duke shfrytëzuar një sipërfaqe shumë më të madhe, falë dhe truallit që është përfituar nga vendimi i Këshillit Bashkiak të Shijakut.
Xhamia e re e Shijakut do të ndërtohet duke krijuar në të një kompleks multifunksional fetar që i përshtatet aktualitetit, fizionomisë arkitekturore të qytetit, traditës islame shqiptare dhe historisë kombëtare dhe fetare të qytetit.
Burimi ATSH



















