
Jaupaj nënshkruan marrëveshje me IUCN: Projekte konkrete për mbrojtjen e natyrës
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit teknik ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit teknik ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
Jaupaj bëri të ditur se kjo marrëveshje synon angazhimin e drejtpërdrejtë të ekspertizës së IUCN-së në procesin e integrimit evropian për Kapitullin 27, duke mbështetur Ministrinë e Mjedisit në përmbushjen e piketave mbyllëse.
Po ashtu, marrëveshja, sipas tij, synon përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian dhe hartimin e projekteve konkrete për mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve.
Ministri Jaupaj e cilësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje si një partneritet të ri për natyrën shqiptare.
“Që prej vitit 2024, kur Shqipëria u anëtarësua si shtet në IUCN, bashkëpunimi me këtë organizatë ndërkombëtare është intensifikuar, duke përfituar nga ekspertiza e saj teknike e nivelit më të lartë botëror”, shtoi ai.
Jaupaj theksoi se me këtë marrëveshje po hidhet një tjetër hap konkret drejt standardeve evropiane dhe mbrojtjes së pasurive natyrore të Shqipërisë për brezat e ardhshëm.
Burimi ATSH


















