
Spahiu: Në fillim të 2027 sjellim PET Scan në Spitalin Onkologjik
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu në interpelancën e kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike e vuri theksin tek tre shërbimet shëndetësore që, sipas saj, kanë qenë në qendër të debatit publik dhe politik: hemodializa, sterilizimi dhe kontrolli mjekësor bazë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu në interpelancën e kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike e vuri theksin tek tre shërbimet shëndetësore që, sipas saj, kanë qenë në qendër të debatit publik dhe politik: hemodializa, sterilizimi dhe kontrolli mjekësor bazë.
Në fjalën e saj Spahiu theksoi se çështjet që janë ngritur në kërkesën për interpelancë do t’i vendoste në kontekstin më të gjerë të ndryshimeve që ka pësuar sistemi shëndetësor.
“Për ta kuptuar se ku jemi sot, duhet të kuptojmë se ku ishim dje, kur këto shërbime u organizuan përmes kontratave koncesionare. Sistemi publik nuk dispononte të gjitha kapacitetet e nevojshme në standardin dhe shtrirjen që kërkohej, mungonin pajisjet, infrastruktura, burimet njerëzore dhe kapacitetet teknike”, theksoi ajo.
Sipas saj, koncesionet u konsideruan si një mënyrë për të adresuar një nevojë konkrete të sistemit dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve.
“Mund të kemi sot një debat politik për mënyrën se si u morën ato vendime dhe ky debat është legjitim, por nuk mund të bëjmë sikur situata e sistemit shëndetësor e vitit 2012 është e njëjtë me situatën e vitit 2026”, tha Spahiu.
“Viti 2005 shënoi një kthesë, numri i pacientëve me hemodializë filloi të rritej me shpejtësi. U hap shërbimi i dializës, i pari në Spitalin Rajonal të Elbasanit”, tha Spahiu.
Ministrja Spahiu iu referua edhe situatës në vitin 2011, kur Shqipëria kishte arritur në 284 pacientë për milion banorë duke theksuar se “ishim larg shifrave të kërkuara ndërkombëtare”.
“Në vitin 2012 shërbimi ofrohej në disa spitale rajonale, por sistemi vijonte të përballej me problematika teknike dhe infrastrukturore. Kapacitetet publike nuk mjaftonin dhe sektori privat mori përsipër një pjesë gjithnjë e më të madhe të shërbimit”, nënvizoi Spahiu.
Spahiu e cilësoi si problem të rëndësishëm edhe shtrirjen gjeografike të shërbimit.
“Deri në vitin 2016, pacientët e Vlorës duhet të udhëtonin tri herë në javë drejt Tiranës për seanca që zgjasnin katër orë. Në vitin 2015 u shpall procedura për partneritetin publik privat të hemodializës në 5 spitalet rajonale Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë, Elbasan me një kontratë 10 vjeçare, problemi ishte i qartë të ofronim shërbimin pranë pacientit”, theksoi Spahiu.
Ministrja Spahiu theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në kapacitetet publike dhe marrjen e drejtpërdrejtë të përgjegjësive nga shteti.
“Sot është pyetje tjetër që duhet të na shqetësojë: a i kemi ndërtuar kapacitetet që shteti ta marrë këtë përgjegjësi? Përgjigjja për disa nga këto shërbime është po”, u shpreh Spahiu.
Lidhur me sterilizimin, Spahiu tha se “shërbimi është nën drejtimin e OSHISH që prej muajit prill”.
Sa i përket kontrollit mjekësor bazë, Spahiu tha se administrimi shtetëror ka nisur më 11 shtator.
Gjatë interpelancës Spahiu premtoi që të sjellë në spitalin Onkologjik PET/SC.
“Në janar fillon Instituti i Onkologjisë. Në fillim të vitit 2027, unë ose e sjell PET Scan-in, ose jap dorëheqjen”, tha Spahiu.
Marrë nga ATSH

















