
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Lidershipit Ballkanik, në fokus liria e medias dhe qeverisja digjitale
Liria e medias, sfidat e demokracisë dhe ndikimi i transformimit digjital në qeverisje ishin në qendër të Konferencës së Lidershipit Ballkanik 2026, organizuar nga Federata e Paqes Universale (UPF), në partneritet me Kuvendin e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Washington Times Foundation, Shoqatës Ndërkombëtare të Medias për Paqen (IMAP), Shoqatës Ndërkombëtare të të Rinjve dhe Studentëve për Paqen (IAYSP) dhe Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

Liria e medias, sfidat e demokracisë dhe ndikimi i transformimit digjital në qeverisje ishin në qendër të Konferencës së Lidershipit Ballkanik 2026, organizuar nga Federata e Paqes Universale (UPF), në partneritet me Kuvendin e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Washington Times Foundation, Shoqatës Ndërkombëtare të Medias për Paqen (IMAP), Shoqatës Ndërkombëtare të të Rinjve dhe Studentëve për Paqen (IAYSP) dhe Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Konferenca, me temë “Liria e Medias, Demokracia dhe Qeverisja Digjitale në Ballkanin Perëndimor”, mblodhi në Tiranë përfaqësues të institucioneve shtetërore, parlamentarë, drejtues mediesh, ekspertë dhe personalitete nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, si dhe organizata ndërkombëtare, duke krijuar një platformë të rëndësishme dialogu mbi sfidat që po përjeton media në rajon.
Në nisje të takimit përshëndeti zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, e cila theksoi se Bashkimi Evropian tashmë ka ndërtuar instrumente të forta ligjore për garantimin e një hapësire mediatike më të sigurt dhe më transparente. Ajo u ndal te Akti për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA), i cili vendos detyrime konkrete për platformat digjitale, duke përfshirë luftën kundër përmbajtjeve të paligjshme, rritjen e transparencës së reklamimit, mbrojtjen e të miturve dhe kufizimin e praktikave manipuluese, ndërsa njëkohësisht garanton mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik.
Spahiu evidentoi gjithashtu rëndësinë e Aktit Evropian për Lirinë e Medias (European Media Freedom Act – EMFA), i cili synon të forcojë pavarësinë editoriale, transparencën e pronësisë së mediave dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet politike apo shtetërore. Sipas saj, Shqipëria po punon për hartimin e ligjit të ri për mediat audiovizive në përputhje me këto standarde evropiane.
Sesioni i parë, i moderuar nga Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit Evropian dhe Kryetare e Komisionit të Parlamentarëve për Paqe pranë UPF Shqipëri, iu kushtua temës “Liria e Medias, Demokracia dhe Qeverisja Dixhitale në Ballkanin Perëndimor”. Referues në këtë sesion ishin Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, iris Luarasi, nënkryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Danijela Đurović, ish-kryetare e Parlamentit të Malit të Zi, prof. dr. Enver Hoxhaj, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Armela Krasniqi, kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Jovan Jovanović, ish-deputet dhe ish-ambasador i Serbisë në Indonezi dhe Aleksandër Çipa, president i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Në hapje të konferencës, bashkëkryetari i Federatës së Paqes Universale për Evropën dhe Lindjen e Mesme, Jacques Marion, vuri theksin mbi përgjegjësinë që media ka në ndërtimin e paqes dhe forcimin e demokracisë.
“Ndërvarësia na kujton se paqja nuk mund të ndërtohet mbi sigurinë ose përparimin e disave në kurriz të të tjerëve. Prosperiteti i ndërsjellë arrihet përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët, ndërsa shoqëritë e qëndrueshme mbështeten mbi vlera universale dhe themele të përbashkëta morale”, u shpreh Marion.
Një panoramë kritike mbi gjendjen e medias në Serbi paraqiti ish-deputeti i Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Jovan Jovanović, i cili tha se, ndonëse vendi numëron qindra media, hapësira informative dominohet nga një numër i kufizuar televizionesh dhe tabloidesh pranë pushtetit.
Ish-kryeparlamentarja e Malit të Zi, Danijela Đurović ngriti shqetësimin për presionin në rritje ndaj gazetarisë së pavarur në Ballkanin Perëndimor. Ajo theksoi se gazetarët investigativë vazhdojnë të përballen me presione ekonomike, ndikim politik dhe sulme ndaj integritetit të tyre profesional.
Sesioni i dytë, me temë “Media si Urë për Bashkëpunim Ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, u moderua nga Mirilda Tili, gazetare dhe kryetare e Komisionit të Medias për Paqe pranë UPF Shqipëri. Referues në këtë sesion ishin Thomas McDevitt, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Washington Times Foundation, Senida Mesi, ish-zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Afet Mamuti, profesor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tetovës, Lutfi Dervishi, kryetar i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe lektor në Universitetin e Tiranës dhe Peter Zoehrer, kryetar i Organizatës Ndërkombëtare të Medias për Paqe.
Gjatë diskutimeve, panelistët ndanë të njëjtin shqetësim për rënien e besimit të publikut ndaj medias dhe theksuan se garantimi i pavarësisë editoriale, transparencës, integritetit profesional dhe mbrojtjes së gazetarëve mbetet një kusht themelor për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor.
Në përmbyllje të konferencës, nën moderimin e Gani Rroshi, sekretar i përgjithshëm i UPF Shqipëri, u zhvillua ceremonia e ndarjes së titullit “Ambasador për Paqe”, ku u vlerësuan Danijela Đurović dhe Jorida Tabaku, për kontributin e tyre në promovimin e paqes, dialogut, demokracisë dhe bashkëpunimit rajonal.
Konferenca përfundoi me një thirrje të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit rajonal, harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane dhe mbështetjen e medias së lirë, profesionale dhe të pavarur, si garanci për një demokraci funksionale dhe një shoqëri më të informuar.
Burimi ATSH



















