
Gonxhja: Çdo veprim që dëmton imazhin e Shqipërisë sjell pasoja për turizmin dhe ekonominë
Operatorët turistikë në qytetin e Durrësit shprehën sot shqetësimin lidhur me rezervimet për sezonin turistik.

Operatorët turistikë në qytetin e Durrësit shprehën sot shqetësimin lidhur me rezervimet për sezonin turistik.
Në një video të publikuar nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ata theksojnë se situata e krijuar në vend po ndikon negativisht te turistët e huaj dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Operatorë të rëndësishëm ndërkombëtarë si ‘Dertour’ dhe ‘Schauinsland’ shprehin shqetësime dhe raportojnë një ulje prej rreth 40% të rezervimeve për këtë sezon turistik, të cilat nuk janë thjeshtë një shqetësim i biznesit privat, por një sinjal që meriton vëmendjen e të gjithë aktorëve të përfshirë në sektor”, tha Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.
Ministri Gonxhja u shpreh se “turizmi ndërtohet mbi besimin, sigurinë dhe imazhin e një destinacioni, ndaj perceptimi që krijohet në tregjet e huaja ka një ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Për këtë arsye, është e drejtë që hotelierët dhe operatorët turistikë të ngrenë zërin, me qëllim garantimin e partnerëve se Shqipëria mbetet një destinacion i sigurt dhe i gatshëm për të pritur turistët”.
Sipas tij, pas çdo shifre dhe përqindjeje qëndrojnë investime, vende pune, biznese familjare dhe mijëra njerëz që e kanë turizmin burimin kryesor të të ardhurave.
Prandaj, shtoi Gonxhja, çdo shqetësim i ngritur nga sektori duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për të gjithë, pasi çdo veprim që dëmton imazhin e vendit në sytë e partnerëve dhe turistëve të huaj ka pasoja reale për ekonominë, punësimin dhe mirëqenien e mijëra familjeve shqiptare.
Operatori turistik Fatos Cerenishti tha se “dy kompani të mëdha gjermane kanë pezulluar bashkëpunimin, duke sjellë një reduktim prej 40% të rezervimeve”.
Ai i bën apel Ministrisë së Turizmit për të gjetur një mënyrë për të dialoguar me kompanitë partnere dhe t’i informouar ata që në Shqipëri çdo gjë është normale dhe aspak protestat nuk do të ndikojnë në mbarëvajtjejn e sezonit turistik.
Marrë nga ATSH



















