
Kos: Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të Planit të Rritjes
Tirana mirëpriti sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.

Tirana mirëpriti sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.
Në kuadër të samitit, liderët e vendeve të rajonit dhe Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, zhvilluan një tryezë të përbashkët diskutimi mbi zbatimin e Planit të Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Përbashkët Europian.
Gjatë fjalës së saj, Kos theksoi se rajoni po hyn në vitin e fundit të periudhës katërvjeçare të zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të mbështesë reforma të rëndësishme, të sjellë përfitime për qytetarët dhe ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse, si dhe të përshpejtojë përgatitjet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Ky plan u miratua për të mbështetur reforma të rëndësishme, nga të cilat përfitojnë qytetarët dhe ekonomitë tuaja, dhe sigurisht për t’ju ndihmuar të përgatiteni për anëtarësimin në BE”, u shpreh Kos.
Ajo vuri në dukje se rezultatet e vendeve të rajonit janë të ndryshme, duke theksuar se tri shtete kanë bërë përparim të mirë në zbatimin e reformave, ndërsa tri të tjera nuk i kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga plani.
Duke iu referuar Shqipërisë, Kos deklaroi se, “Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185,6 milionë euro në pagesën e katërt”.
Sipas të dhënave të paraqitura prej saj, Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave dhe do të përfitojë 81 milionë euro në raundin e dytë të pagesave, ndërsa Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% të reformave të kërkuara dhe do të marrë 70,9 milionë euro.
Komisionerja nënvizoi se Plani i Rritjes është ndërtuar mbi parimin e rezultateve, ku disbursimi i fondeve lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e reformave.
“Fondet janë për t’u shpërndarë pikërisht për ato vende që performojnë më mirë”, theksoi Kos, duke shtuar se Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin secili 15% më shumë nga fondet e planit, ndërsa Maqedonia e Veriut do të përfitojë 10% më shumë.
Kos përgëzoi vendet për rezultatet e arritura dhe përpjekjet e bëra në zbatimin e reformave.
Komisionerja Kos u ndal edhe te ecuria e reformave në Serbi dhe Kosovë, duke vënë në dukje problematikat dhe mundësitë për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes.
Sa i përket Serbisë, ajo tha se agjenda e reformave ishte hartuar së bashku me qeverinë e mëparshme, por nuk kishte sjellë rezultatet e pritshme.
“Komisioni Europian nuk ka kryer asnjë pagesë që nga janari i këtij viti dhe tani ekziston mundësia për një fillim të ri”, u shpreh Kos.
Ajo bëri të ditur se Komisioni Europian ka ofruar këshilla dhe udhëzime, si dhe ka zhvilluar diskutime për mënyrën se si mund të strukturohen reformat, në mënyrë që Serbia të përfitojë më shumë fonde nga Plani i Rritjes.
Duke folur për Kosovën, Kos theksoi se qeveria e re ka mundësinë të vendosë një fokus të ri te reformat dhe te rrugëtimi drejt Bashkimit Europian.
Ajo vuri në dukje se, megjithëse institucionet tashmë janë krijuar, mbetet e nevojshme ratifikimi i marrëveshjeve përkatëse, si kusht për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes.
Sipas saj, kjo do të jetë një nga përparësitë pas formimit të plotë të institucioneve dhe përfundimit të procedurave pas zgjedhjeve. Kos u shpreh se përmbushja e këtyre hapave do t’i mundësojë Kosovës të përfitojë fondet që deri më tani nuk ka mundur t’i marrë.
Marrë nga ATSH


















