
Rama: Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë
Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri një përfaqësi të sipërmarrjes japoneze, ku prezantoi interesin e Shqipërisë dhe Kosovës për përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë.

Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri një përfaqësi të sipërmarrjes japoneze, ku prezantoi interesin e Shqipërisë dhe Kosovës për përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë.
Rama bëri të ditur se ka diskutuar disa herë me kryeministrin e Kosovës mundësinë e përfshirjes së Japonisë në këtë projekt, i cili parashikon lidhjen e Durrësit me Prishtinën dhe më tej me Nishin, për të vijuar drejt Europës Qendrore.
Sipas Kryeministrit, hekurudha ka rëndësi të veçantë edhe për NATO-n, në funksion të Portit të ri të Durrësit, i cili do të ketë një degë të dedikuar për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës.
“Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore”, theksoi Rama.
Rama shtoi se, “kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s”.
“Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj”, u shpreh Rama, duke ftuar sipërmarrjen japoneze të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes në projekt.
Ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova janë të gatshme të bashkëpunojnë me Japoninë ose me partnerë të tjerë japonezë për të vlerësuar mundësinë e realizimit të kësaj vepre infrastrukturore.
“Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, nënvizoi Rama.
Burimi ATSH

















