
Java Globale e Sipërmarrjes, Ibrahimaj: Ekosistem i konsoliduar me 300 startup-e, krijojmë Fondin e Inovacionit
Qeveria synon të zgjerojë mbështetjen për sipërmarrjet inovative, përmes krijimit në vitin 2027 të Fondit Shqiptar të Inovacionit, ndërsa ekosistemi i startup-eve në vend numëron tashmë mbi 300 sipërmarrje aktive.

Qeveria synon të zgjerojë mbështetjen për sipërmarrjet inovative, përmes krijimit në vitin 2027 të Fondit Shqiptar të Inovacionit, ndërsa ekosistemi i startup-eve në vend numëron tashmë mbi 300 sipërmarrje aktive.
Gjatë çeljes së Javës Globale të Sipërmarrjes 2026 në Tiranë, në kuadër të Konferencës Rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi zhvillimet e ekosistemit të startup-eve dhe prioritetet për forcimin e tij. Edicioni i katërt i kësaj jave zhvillohet nën moton “Ndërto nga Shqipëria”.
“Sot jam shumë krenare që mund të themi se kemi një ekosistem të konsoliduar, me më shumë se 300 startup-e që kanë krijuar një produkt, vijojnë rrugëtimin e tyre, po zgjerojnë aktivitetin dhe po synojnë të dalin përtej kufijve të Shqipërisë, drejt tregjeve ndërkombëtare”, u shpreh Ibrahimaj.
Sa i përket mbështetjes financiare, ajo bëri të ditur se vitin e kaluar financimi për ekosistemin e startup-eve u dyfishua, duke arritur në 600 milionë lekë dhe duke përfshirë rreth 170 startup-e. Përmes kësaj skeme, 43 produkte kanë dalë në treg dhe janë tashmë në funksion, ndërsa janë financuar edhe tetë lehtësues të ekosistemit, të cilët ofrojnë mentorim dhe mbështetje për sipërmarrjet.
Për vitin 2027, tha ministrja, një nga prioritetet kryesore është krijimi i Fondit Shqiptar të Inovacionit, si një mekanizëm i ri financimi për sipërmarrjet inovative. Sipas ministres, ky instrument do të ngrihet në bashkëpunim me partnerët dhe është pjesë e reformave të lidhura me Instrumentin e Reformave dhe Rritjes.
Ndërsa një tjetër nismë, vuri në dukje Ibrahimaj është hapja e Akademisë së Startup-eve, e cila do të ofrojë programe edukimi dhe zhvillimi të aftësive për sipërmarrësit në të gjithë vendin. “Në fokus do të jetë gjithashtu rritja e ekspozimit ndërkombëtar të startup-eve shqiptare, përmes pjesëmarrjes në panaire dhe aktivitete jashtë vendit, si dhe bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Departamentin e Senatit të Berlinit për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike dhe institucionin francez të investimeve “Bpifrance””, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj u ndal edhe te zhvillimi i GovTech, si një mundësi për të nxitur bashkëpunimin mes inovatorëve dhe sektorit publik, duke krijuar hapësira për ofrimin e produkteve dhe shërbimeve inovative në përputhje me rregullat dhe procedurat e Bashkimit Evropian.
Duke vënë theksin te bashkëpunimi rajonal, ministrja nënvizoi rëndësinë e ndërthurjes së kapaciteteve dhe shkëmbimit të përvojave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, me synim zhvillimin e ideve dhe projekteve të përbashkëta me inovatorë nga Prishtina, Shkupi, Sarajeva dhe qytete të tjera të rajonit.
“Ne mund të bëjmë pak kur punojmë të vetëm, por mund të arrijmë shumë më tepër kur bashkëpunojmë. Jemi vende të vogla dhe secili prej nesh nuk mund të ketë kapacitete dhe ekspertizë në çdo sektor. Prandaj, është shumë e rëndësishme të ndërlidhemi, të ndajmë përvojat dhe të ndërtojmë së bashku”, u shpreh ajo.
Java Globale e Sipërmarrjes 2026 zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor, në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, me rreth 40 aktivitete që synojnë promovimin e inovacionit, nxitjen e kulturës sipërmarrëse dhe krijimin e partneriteteve mes sipërmarrësve, investitorëve, institucioneve dhe aktorëve të ekosistemit.
Programi përfshin konferenca, trajnime, workshop-e, masterclass-e dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë. GEW Albania organizohet për të katërtin vit radhazi nga Startup Albania, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me autorizimin e Rrjetit Global të Sipërmarrjes (GEN).
Burimi ATSH


















