
Ndreu: Nxënësit u përdorën politikisht në akte dhune në Lezhë
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu akuzoi Partinë Demokratike se ka nxitur nxënësit të përfshihen në akte dhune gjatë protestës së sotme në Lezhë.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu akuzoi Partinë Demokratike se ka nxitur nxënësit të përfshihen në akte dhune gjatë protestës së sotme në Lezhë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ndreu deklaron se në ngjarje u përfshinë rreth 50 nxënës dhe 30 mbështetës të PD-së, të drejtuar nga një mësuese që, siç pretendoi ai, është drejtuese e kësaj partie.
“Thyen xhamat e shkollave nën dirigjimin e mësueses, kryetare të PD-së”, shkruan Ndreu, duke e cilësuar situatën si një përpjekje për destabilizim dhe duke akuzuar opozitën për përdorimin politik të fëmijëve.
Kreu i bashkisë Lezhë falënderoi mësuesit dhe nxënësit që nuk iu bashkuan akteve të dhunës, si dhe qytetarët që qëndruan larg asaj që ai e cilësoi si tendencë për të shkatërruar qytetin.
Ndreu kritikoi atë që e quajti keqpërdorim të nxënësve për qëllime politike, duke akuzuar eksponentë të PD-së për përfshirjen e familjarëve të tyre në trazira.
“Tentativat e pafundme për të sulmuar institucionet qendrore e lokale kanë dështuar me turp, pasi askush nuk ka arsye të nëpërkëmbë qytetin ku jeton dhe standardet e larta të menaxhimit ku kemi arritur”, përfundon reagimi.
Burimi ATSH


















