
Rama publikon foto nga takimi me presidentin Trump
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foton ku bashkë me bashkëshorten Linda Rama u takua me presidentin e SHBA-së Donald Trump gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foton ku bashkë me bashkëshorten Linda Rama u takua me presidentin e SHBA-së Donald Trump gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale edhe foton e këtij takimi, ndërsa ironizoi edhe pretendimet për takimin me presidentin Trump.
“Meqë s’e takova dot, siç thanë ata që çfarë nuk thonë, po asgjë s’bëjnë e s’na bëjnë dot, u detyrova ta bëj me IA. Po thuajuni atyre të bëjnë kujdes, se dro del që s’është IA dhe dalin prapë si kokrrat e kandarit”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi javës që kaloi një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gjatë vizitës, Kryeministri u shoqërua nga bashkëshortja, Linda Rama, dhe delegacioni zyrtar shqiptar.
Kryeministri Rama iu drejtua me një fjalë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u zhvillua në Nju-Jork, ndërkohë që gjatë qëndrimit në SHBA zhvilloi po ashtu takime edhe me diasporën shqiptare.
Marrë nga ATSH

















