
Banka Botërore: Turizmi, sektori me potencialin më të lartë për krijimin e vendeve të reja të punës
Banka Botërore publikoi gjetjet kryesore të anketës “FY 2026 Albania Country Opinion Survey Report”, që përfshiu 219 përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile

Turizmi vlerësohet si sektori me potencialin më të madh për krijimin e vendeve të reja të punës në Shqipëri, ndërsa diversifikimi i ofertës turistike shihet si një mundësi për të zgjeruar punësimin gjatë gjithë vitit.
Banka Botërore publikoi gjetjet kryesore të anketës “FY 2026 Albania Country Opinion Survey Report”, që përfshiu 219 përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile, sipas së cilës, krahas turizmit, potencial të rëndësishëm për punësim dhe zhvillim paraqesin bujqësia dhe agro-përpunimi, teknologjia e informacionit dhe shërbimet digjitale, energjia e rinovueshme, infrastruktura e gjelbër, ndërtimi dhe industria e lehtë.
Në turizëm, zhvillimi i agroturizmit, turizmit kulturor, historik dhe të aventurës shihet si një mundësi për të zgjeruar sezonin dhe për të krijuar më shumë vende pune në të gjithë territorin.
Ndërkohë, bujqësia dhe agro-përpunimi ofrojnë mundësi për rritjen e aktiviteteve me vlerë të shtuar, përpunimit, eksporteve, magazinimit dhe paketimit, duke krijuar perspektiva të reja për punësim dhe zhvillim ekonomik në zonat jashtë qendrave urbane.
Pozitiv është edhe vlerësimi për teknologjinë e informacionit dhe shërbimet digjitale, të cilat konsiderohen sektorë me potencial për punësim të kualifikuar dhe rritje të orientuar drejt eksporteve.
Në prioritetet e zhvillimit, bujqësia dhe siguria ushqimore renditen të parat, të përzgjedhura nga 49% e të anketuarve, ndërsa arsimi ndiqet me 47%. Shëndetësia është përzgjedhur nga 36%, vendet e punës nga 34% dhe infrastruktura digjitale nga 32%.
Gjetjet nënvizojnë potencialin e ekonomisë shqiptare për të gjeneruar më shumë punësim përmes zhvillimit të sektorëve me vlerë të shtuar, investimeve, digjitalizimit dhe diversifikimit të turizmit.
Banka Botërore e ka vendosur krijimin e më shumë vendeve të punës, forcimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e qëndrueshme në fokus të strategjisë së saj për mbështetjen e Shqipërisë.
Burimi ATSH



















