
Anija mbështetëse “MOSEL” e Marinës Gjermane viziton Durrësin, takim miqësor me Forcat e Armatosura shqiptare
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner vlerësoi rëndësinë e vizitës dhe falënderoi Forcat e Armatosura Shqiptare për mbështetjen e ofruar gjatë qëndrimit të anijes në vendin tonë.

Anija mbështetëse “MOSEL” e Marinës Gjermane zhvilloi gjatë fundjavës një vizitë miqësore në portin e Durrësit, ku u prit nga përfaqësues të Marinës së Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në Durrës u zhvilluan bisedime dypalëshe, ndërsa ekuipazhi i anijes pati mundësinë të vizitonte dhe Tiranën.
Komandanti i “MOSEL” mirëpriti në bord përfaqësues të Marinës Shqiptare, të Korpusit të Atasheve Ushtarakë dhe të Ambasadës Gjermane.
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner vlerësoi rëndësinë e vizitës dhe falënderoi Forcat e Armatosura Shqiptare për mbështetjen e ofruar gjatë qëndrimit të anijes në vendin tonë.

Me një gjatësi prej më shumë se 100 metrash, “MOSEL” shërben si një platformë lundruese për furnizim dhe mbështetje. Anija mundëson transportin e karburantit, ujit të pijshëm, furnizimeve ushqimore, municioneve dhe pjesëve të këmbimit, ndërsa është e aftë të kryejë edhe riparime dhe të ofrojë mbështetje mjekësore për anije të tjera.
“MOSEL” është gjithashtu e pajisur me sisteme moderne komunikimi dhe drejtimi, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen logjistike të operacioneve detare.
Vizita në Durrës u zhvillua pas përfundimit të misioneve të anijes në Detin e Kuq dhe në zonën përreth Xhibutit. Pas qëndrimit në Shqipëri, “MOSEL” vijon lundrimin në drejtim të Gjermanisë.
Vizita shërbeu edhe si një tjetër mundësi për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Marrë nga ATSH



















