
Gonxhja: 161 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës në 7 muaj, rritje 13%
Kalaja e Gjirokastrës vijon të jetë një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit kulturor në Shqipëri

Kalaja e Gjirokastrës vijon të jetë një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit kulturor në Shqipëri, me 161 274 vizitorë të regjistruar gjatë periudhës janar–korrik 2026, duke shënuar një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shifrën e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se monumenti historik vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë, falë vlerave të tij të veçanta historike, kulturore dhe arkitekturore.
Kalaja, e ngritur mbi qytetin e Gjirokastrës, është një prej simboleve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një nga pikat kryesore të itinerareve turistike në jug të vendit.
Vizita në kalanë shekullore u ofron turistëve një përvojë të ndërthurur mes historisë dhe peizazhit, me pamje panoramike mbi qytetin dhe luginën e Drinos, duke e bërë atë një destinacion të rëndësishëm për turizmin kulturor dhe historik.
Rritja e numrit të vizitorëve në shtatë muajt e parë të vitit dëshmon interesin në rritje për Gjirokastrën dhe pasuritë e saj të trashëgimisë, ndërsa qyteti vijon të konsolidohet në hartën e destinacioneve të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj.
Të dhënat për Kalanë e Gjirokastrës vijnë në një periudhë kur turizmi kulturor po fiton gjithnjë e më shumë peshë në ofertën turistike të Shqipërisë, duke promovuar historinë, traditat dhe identitetin e vendit.
Burimi ATSH


















