
OSBE mbështetje Policisë së Shtetit, Tarran: Informatorët, rol kyç në hetimet penale
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po mbështet Policinë e Shtetit në forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e informatorëve, përmes financimit të një vizite studimore të një delegacioni shqiptar në selinë e Policisë së Skocisë në Edinburg.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po mbështet Policinë e Shtetit në forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e informatorëve, përmes financimit të një vizite studimore të një delegacioni shqiptar në selinë e Policisë së Skocisë në Edinburg.
Prezenca e OSBE bën të ditur se kjo nismë është pjesë e mbështetjes afatgjatë për institucionet ligjzbatuese shqiptare dhe synon rritjen e efektivitetit në hetimet penale përmes shkëmbimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit do të njihen nga afër me procedurat operacionale, standardet e menaxhimit dhe zgjidhjet e avancuara softuerike të përdorura nga Policia e Skocisë për administrimin e informatorëve.
Përpara nisjes së vizitës, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua me delegacionin e Policisë së Shtetit, ku theksoi rëndësinë e mbledhjes së informacionit të besueshëm dhe të verifikueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit të rëndë.
OSBE vlerëson se informatorët luajnë një rol kyç në hetimet penale dhe se forcimi i kapaciteteve në këtë drejtim është thelbësor për zbatimin e modelit të policimit të udhëhequr nga inteligjenca, si një qasje moderne në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit.
Marrë nga ATSH


















