
Kryesimi i CEFTA-s, Ibrahimaj: Bashkëpunimi rajonal të jetë i prekshëm për bizneset dhe qytetarët
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, çeli aktivitetin e organizuar në Tiranë, në kuadër të kryesimit të CEFTA-s nga Shqipëria për vitin 2026, duke e cilësuar këtë një moment kyç për avancimin e integrimit ekonomik rajonal dhe afrimin konkret me tregun unik të Bashkimi Europian.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, çeli aktivitetin e organizuar në Tiranë, në kuadër të kryesimit të CEFTA-s nga Shqipëria për vitin 2026, duke e cilësuar këtë një moment kyç për avancimin e integrimit ekonomik rajonal dhe afrimin konkret me tregun unik të Bashkimi Europian.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi se viti 2026, që përkon me 20-vjetorin e CEFTA-s, sjell një përgjegjësi të qartë për të kaluar nga progresi i deritanishëm drejt rezultateve konkrete, duke përshpejtuar integrimin ekonomik të rajonit dhe duke e bërë bashkëpunimin rajonal të prekshëm për bizneset dhe qytetarët.
Ajo nënvizoi se CEFTA është një instrument kyç për ndërtimin e një tregu rajonal funksional dhe për zbatimin e nismave si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, të cilat krijojnë mundësi reale për rritjen ekonomike dhe përgatitjen për integrim në tregun unik europian.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se gjatë kryesimit të Shqipërisë, fokusi do të jetë i qartë dhe i orientuar drejt zbatimit të masave konkrete që sjellin ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi.
Në këtë kuadër, prioritet do të jetë lehtësimi i tregtisë përmes reduktimit të kohës dhe kostove në kufi, zhvillimit të mëtejshëm të korridoreve të gjelbra dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim krijimin e një tregu më të shpejtë dhe më të parashikueshëm për bizneset.
Një tjetër shtyllë kryesore mbetet digjitalizimi i procedurave tregtare, përmes aplikimit të sistemeve pa letra dhe shërbimeve digjitale të besueshme, duke reduktuar burokracinë dhe rritur transparencën.
Paralelisht, do të vijojë puna për njohjen reciproke të standardeve dhe certifikimeve, si një hap i domosdoshëm për eliminimin e barrierave praktike dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave në rajon.
Duke iu referuar të dhënave tregtare, ministrja bëri të ditur se gjatë vitit 2025 shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e CEFTA-s arritën në rreth 123 miliardë lekë, ndërsa vendi vijon të mbajë një bilanc tregtar pozitiv.
Ajo theksoi se Kosova mbetet destinacioni kryesor për eksportet shqiptare, ndërsa Serbia është partneri kryesor për importet. Eksportet shqiptare në rajon mbështeten kryesisht në sektorët e energjisë, materialeve të ndërtimit, produkteve agro-ushqimore dhe industrisë përpunuese.
Megjithatë, ministrja theksoi se zhvillimet e fundit, përfshirë rënien e vlerës së eksporteve, nxjerrin në pah nevojën për thellimin e integrimit ekonomik, uljen e barrierave tregtare dhe rritjen e efikasitetit të procedurave. Ajo nënvizoi se suksesi i CEFTA-s duhet të matet me ndikimin konkret në ekonominë reale dhe në përfitimet që ajo sjell për bizneset.
Në këtë drejtim, ministrja evidentoi se prioritetet e Shqipërisë do të fokusohen në avancimin e mëtejshëm të lehtësimit të tregtisë, përshpejtimin e digjitalizimit dhe forcimin e njohjes reciproke, si dhe në rritjen e koordinimit institucional dhe bashkëpunimit rajonal për zbatimin efektiv të vendimeve.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet përfshirjes aktive të sektorit privat, me qëllim adresimin e barrierave reale dhe mbështetjen e zhvillimit të biznesit.
Ibrahimaj theksoi angazhimin e Shqipërisë për të luajtur një rol drejtues në avancimin e integrimit ekonomik rajonal, duke e konsideruar atë një hap të drejtpërdrejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një mundësi konkrete për rritjen e eksporteve, investimeve dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga Delegacionit të Bashkimit Europian, drejtoresha e CEFTA-s, Pranvera Kastrati, si dhe kryetarja e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa.
Në fjalën e saj, drejtoresha e CEFTA-s, Pranvera Kastrati, theksoi se CEFTA nuk është thjesht një marrëveshje për tregti të lirë, por një platformë praktike që lehtëson qarkullimin e mallrave dhe shërben si urë drejt standardeve të tregut unik europian.
Ajo evidentoi rezultate konkrete për sektorin privat, përfshirë shkëmbimin elektronik të të dhënave që në vitin 2025 mbuloi 1.4 milion kamionë, duke kursyer afërsisht 12 vite pritje në pikat kufitare, dhe uljen e kostove për certifikata me mesatarisht 9 euro për certifikatë.
Kastrati nënvizoi gjithashtu se digjitalizimi dhe njohja e rezultateve të testimeve shmangin testime të dyfishta dhe reduktojnë kohën dhe kostot për bizneset, duke sjellë përfitime reale për qarkullimin tregtar rajonal dhe bashkëpunimin me vendet anëtare të BE-së.
Kastrati theksoi se objektiv mbetet zgjerimi i funksionimit të sistemit digjital të CEFTA-s drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional në pikat kufitare, për të reduktuar pengesat dhe kostot për bizneset dhe për të bërë përfitimet e tregtisë rajonale më të prekshme për ekonominë reale.
Burimi ATSH



















