
Ibrahimaj: “Pasqyra Albania”, monitorim i çmimeve dhe analizë e zinxhirit për të identifikuar rritjet dhe ndërhyrë me politika
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se platforma “Pasqyra Albania” do t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve dhe të informohen se ku mund t’i blejnë ato më lirë, ndërsa shtetit do t’i shërbejë për të analizuar formimin e çmimeve përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se platforma “Pasqyra Albania” do t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve dhe të informohen se ku mund t’i blejnë ato më lirë, ndërsa shtetit do t’i shërbejë për të analizuar formimin e çmimeve përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës.
Në një prononcim për ATSH-në, Ibrahimaj tha se nisma është pjesë e një pune më të gjerë për rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa paralelisht po punohet për ligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorit dhe krijimin e një agjencie të posaçme.
“Pasqyra Albania” do të nisë fillimisht me publikimin e çmimeve të shitjes me pakicë dhe do të shërbejë si fazë e parë e një mekanizmi më të gjerë monitorimi.
Sipas ministres, në shtator do të publikohen çmimet e një grupi produktesh bazë, ndërsa përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave do të përcaktohen subjektet që do të kenë detyrim të raportojnë çmimet, shpeshtësinë e raportimit dhe penalitetet në rast mosraportimi.
Ibrahimaj theksoi se qëllimi i platformës nuk është të përcaktojë çmimet në një ekonomi tregu, por të rrisë transparencën dhe të identifikojë hallkat ku mund të krijohen rritje të pajustifikuara të çmimeve.
“Ne jetojmë në një ekonomi tregu, ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, por edhe konkurrenca ka rolin e vet”, tha ajo, duke shtuar se modelet e vendeve si Hungaria, Spanja, Franca dhe Portugalia janë studiuar për të kuptuar mënyrat se si mund të ndikohet te çmimet pa cenuar funksionimin e tregut.
Sipas ministres, një nga synimet kryesore është analizimi i marzheve të fitimit dhe i gjithë zinxhirit të vlerës, nga prodhimi ose importi deri te konsumatori.
Ajo solli si shembull diferencën e çmimit të domates, duke theksuar se një fermer në Lushnjë e shiste produktin me 50 lekë, ndërsa në tregun e Tiranës çmimi arrinte në 120 lekë.
“Na duhet të kuptojmë se cila është hallka që çon në këtë shumëfishim të çmimit, për të kuptuar se si mund të ndërhyhet në atë hallkë dhe si mund të bëjmë të mundur që çmimet të ulen”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo sqaroi se ndërhyrja e shtetit do të përcaktohet vetëm pas analizës së të dhënave. Nëse rritja e çmimeve lidhet me kostot e subjekteve, qiratë apo kostot e punësimit, ndërhyrja do të fokusohet në reduktimin e tyre; nëse ndikojnë taksat, do të shqyrtohet sistemi tatimor, ndërsa në rast të marzheve shumë të larta të fitimit do të merren masa për dezincentivimin e tyre, veçanërisht për produktet bazë të shportës.
“Ne nuk mund ta themi sot se çfarë ndërhyrjeje do të bëjmë. Do të na duhet të bëjmë një analizë të thelluar se ku, në cilën hallkë të zinxhirit, ndodh rritja dhe cila është arsyeja e rritjes”, tha ministrja.
Ibrahimaj nënvizoi se transparenca e çmimeve mund të krijojë vetë një presion pozitiv mbi tregun.
Ministrja bëri të ditur se faza e parë e monitorimit do të përfshijë 10 produkte, mes tyre orizin, makaronat, vajin, sheqerin, pataten, domaten, qepën, detergjentët dhe disa fruta, si dhe rrjetet e supermarketeve.
Më tej, mekanizmi do të zgjerohet për të përfshirë hallka të tjera të zinxhirit, nga importuesit dhe prodhuesit, te grumbulluesit dhe tregtarët, me synim krijimin e një panorame të plotë të formimit të çmimeve.
Brenda muajit dhjetor, sipas Ibrahimajt, synohet të jetë ngritur mekanizmi i plotë për analizimin e çmimeve nga importi ose prodhimi vendas deri te konsumatori. Ajo theksoi se kjo do të bëjë të mundur identifikimin e pikave ku krijohen rritjet e çmimeve dhe hartimin e politikave për adresimin e tyre.
Ministrja tha se çmimet ndikohen edhe nga faktorë të jashtëm, përfshirë zhvillimet ndërkombëtare dhe konfliktet që kanë ndikuar në kostot e energjisë, karburanteve dhe ushqimeve.
“Ajo që ne duhet të garantojmë është që të kemi informacionin 360 gradë, të kemi analizën 360 gradë, t’ia bëjmë transparente publikut dhe konsumatorit se cila është arsyeja pse këto çmime janë kaq të larta dhe, pa diskutim, të marrim masat në mënyrë që, brenda mundësive tona, të mund të ndikojmë në reduktimin e çmimeve”, tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se monitorimi nuk do të kufizohet vetëm te produktet ushqimore të prodhuara në vend.
Përveç ushqimeve, në fazën e parë do të monitorohen edhe detergjentët, ndërsa në vijim lista e produkteve do të zgjerohet.
Sipas ministres, shteti disponon tashmë një bazë të gjerë të dhënash përmes sistemit të fiskalizimit, që mundëson një pasqyrë të faturave në nivel produkti.
Megjithatë, ajo vuri në dukje se deri tani analizat e thelluara për formimin e çmimeve kanë qenë kryesisht të fokusuara në grupe produktesh dhe në momente të caktuara në kohë.
“Qytetarit i intereson të dijë sa është çmimi dhe ku çmimi është më i lirë”, tha Ibrahimaj, duke theksuar se “Pasqyra Albania” synon ta kthejë këtë informacion në një mekanizëm periodik dhe transparent, që do të shërbejë njëkohësisht për informimin e konsumatorit dhe për hartimin e politikave publike.
Burimi ATSH



















