
Ibrahimaj: Nga shtatori “Pasqyra e Çmimeve”, platforma për transparencën dhe krahasimin e çmimeve
Çmimet e produkteve bazë do të jenë më transparente për konsumatorët shqiptarë përmes platformës së re “PriceWatch Albania”, e cila pritet të lançohet nga muaji shtator.

Çmimet e produkteve bazë do të jenë më transparente për konsumatorët shqiptarë përmes platformës së re “PriceWatch Albania”, e cila pritet të lançohet nga muaji shtator.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se platforma do t’u mundësojë qytetarëve të shohin dhe të krahasojnë çmimet e produkteve bazë, duke zgjedhur se ku mund t’i blejnë ato me çmimin më të ulët.
“Çmimet e produkteve bazë nuk mund të jenë më çështje vetëm opinioni. Qytetarët duan të dinë se sa kushton një produkt dhe ku atë produkt mund ta blejnë më lirë”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, përmes platformës do të bëhet publik dhe transparent raportimi i bizneseve që merren me tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve, lidhur me çmimet bazë.
Ibrahimaj theksoi se mekanizmi i ri nuk do të kufizohet vetëm te publikimi i çmimeve, por do të analizojë edhe zinxhirin e formimit të tyre, nga importi ose prodhimi deri te pika e shitjes.
“Ne duhet të kuptojmë se ku ndodh rritja e çmimeve dhe, sigurisht, të ndërhyjmë aty ku ndodh, me qëllim që të mos ketë abuzime”, tha ministrja.
Ajo solli si shembull diferencat e çmimit të domates, duke theksuar se një produkt i njëjtë mund të tregtohet me çmime të ndryshme në qytete të ndryshme.
“Qeveria nuk ka të drejtë dhe nuk ka në dorë të përcaktojë çmime, por ama qeveria ka në dorë të monitorojë dhe të krijojë transparencë”, deklaroi Ibrahimaj.
Sipas ministres, mekanizma të ngjashëm të përdorur në vende të tjera evropiane kanë ndikuar në reduktimin real të çmimeve, duke rritur transparencën dhe mundësinë e konsumatorëve për të krahasuar ofertat.
“PriceWatch Albania – Pasqyra e Çmimeve” do të integrohet edhe në “PasqyrAlbania” dhe do të jetë në dispozicion jo vetëm të konsumatorëve shqiptarë, por edhe të vizitorëve të huaj në vend.
“Çmimet duhet të jenë të dukshme, të krahasueshme dhe transparente për çdo qytetar”, theksoi Ibrahimaj, duke shtuar se platforma synon t’i japë konsumatorit një instrument konkret për të krahasuar çmimet dhe për të vendosur se ku të blejë.
Ministrja nënvizoi se në një ekonomi të lirë çmimet përcaktohen nga tregu, ndërsa roli i institucioneve është garantimi i transparencës, monitorimit dhe informimit të konsumatorëve.
Burimi ATSH


















