
Shkodrani: Kujdesi për fëmijët dhe personat me sëmundje kronike ndaj ekspozimit në diell
Dermatologia në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, Entela Shkodrani apelon për mbrojtje të vazhdueshme nga dielli, duke theksuar se këshillat e specialistëve nuk vlejnë vetëm gjatë pushimeve verore, por gjatë gjithë vitit, me qëllim parandalimin e kancerit të lëkurës, veçanërisht melanomës.

Dermatologia në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, Entela Shkodrani apelon për mbrojtje të vazhdueshme nga dielli, duke theksuar se këshillat e specialistëve nuk vlejnë vetëm gjatë pushimeve verore, por gjatë gjithë vitit, me qëllim parandalimin e kancerit të lëkurës, veçanërisht melanomës.
Sipas Shkodranit, melanoma mbetet forma më agresive e kancerit të lëkurës dhe rastet e diagnostikuara janë në rritje, çka e bën edhe më të rëndësishme ndërgjegjësimin për mbrojtjen nga ekspozimi i pakontrolluar në diell.
Shkodrani nënvizon se kujdes i veçantë duhet të tregohet për personat që janë diagnostikuar me kancer të lëkurës ose kanë histori familjare të kësaj sëmundjeje, pasi ata përbëjnë një kategori me rrezik më të lartë.
“Një tjetër grup që kërkon mbrojtje të shtuar janë pacientët me sëmundje kronike të lëkurës, si ekzema, psoriaza, dermatiti, rozacea dhe lupusi, të cilat përkeqësohen nga ekspozimi në diell”, tha ajo.
Sipas dermatologes, këta pacientë duhet të shmangin ekspozimin pa masa mbrojtëse gjatë sezonit veror.
Apeli i Shkodranit shkon edhe për prindërit, të cilët duhet të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët e vegjël. Djegiet nga dielli në fëmijërinë e hershme konsiderohen një faktor që rrit rrezikun për zhvillimin e melanomës në moshë madhore.
Dermatologia Shkodrani këshillon përdorimin e rregullt të kremrave mbrojtës të përshtatshëm për fëmijët dhe të rriturit, si dhe zgjedhjen e tyre sipas rekomandimit të mjekut specialist.
“Prandaj ruajini fëmijët, mos i ekspozoni rregullisht në diell, përdorni kremin mbrojtës, zgjidheni mirë kremin e duhur për fëmijët, sepse ju e dini që ka pasur edhe shumë polemika për kremin e diellit, filtrat fizikë e filtrat kimikë. Mos dëgjoni rrjetet sociale, mos dëgjoni se çfarë thuhet nëpër rrjete sociale. Ndiqni këshillat e dermatologut për t’u mbrojtur nga dielli”, përfundoi ajo.
Marrë nga ATSH



















