
Gogu mbledh krerët e institucioneve të drejtësisë: Sfidë qëndrueshmëria e reformës në drejtësi
Dymbëdhjetë muajt në vijim do të jenë vendimtarë për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Dymbëdhjetë muajt në vijim do të jenë vendimtarë për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në këtë fazë, sfida nuk është vetëm vijimi i reformës në drejtësi, por garantimi i qëndrueshmërisë së saj përmes rezultateve të matshme, institucioneve funksionale dhe bashkëpunimit efektiv ndërinstitucional.
Këtë theksoi Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë takimit periodik të zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, të thirrur prej tij dhe ku morën pjesë drejtuesit e institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Gjatë takimit u analizua ecuria e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, u analizuan piketat përmbyllëse për Kapitullin 23, si dhe u prezantua koncepti i Barometrit të Drejtësisë.
Diskutimet u përqendruan te progresi i deritanishëm, sfidat që mbeten për t’u trajtuar dhe prioritetet që kërkojnë angazhim të shtuar nga institucionet përgjegjëse për përmbushjen e objektivave të reformës dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.
Ministri Gogu nxiti intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndjekjen sistematike të objektivave, duke theksuar se reforma do të matet gjithnjë e më shumë me rezultatet konkrete që prodhon për qytetarët, forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit te institucionet.
Në përfundim, ministri nënvizoi se përmbushja e piketave përmbyllëse të reformës mbetet një përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe një kusht thelbësor për mbylljen me sukses të kapitujve të negociatave dhe avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
/Burimi ATSH


















