Hetimi mbi automjetet elektrike kineze një tentativë për të mbrojtur industrinë evropiane të makinave elektrike?

Komisioni Evropian së fundmi njoftoi përmes Presidentes Ursula von der Leyen se do të fillojë një hetim mbi automjetet elektrike të prodhuara në Kinë me dyshimin se përfitojnë nga subvencionet shtetërore duke shtrembëruar tregun evropian.


Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Komisioni Evropian së fundmi njoftoi përmes Presidentes Ursula von der Leyen se do të fillojë një hetim mbi automjetet elektrike të prodhuara në Kinë me dyshimin se përfitojnë nga subvencionet shtetërore duke shtrembëruar tregun evropian. Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në fjalimin e saj vjetor në parlamentin europian ka nënvizuar se “tregjet globale janë përmbytur tani me makina elektrike më të lira, dhe çmimi i tyre mbahet artificialisht i ulët nga subvencionet e mëdha shtetërore”. Një hetim kundër subvencioneve fillon kur një vend i huaj dyshohet se subvencionon një kompani ose grup kompanish për të prodhuar një produkt të caktuar dhe ky subvencion shkakton “dëmtim” të industrisë europiane.


Një klient europian provon makinë elektrike të Kinës(Foto:VCG)

Makinat elektrike kineze kanë fituar popullaritet në mbarë botën, veçanërisht në Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine. Të dhënat mujore të tregtisë për pesë vitet e fundit, sipas Eurostat, tregojnë një rritje të shpejtë të eksporteve kineze të automjeteve elektrike në Bashkimin Europian, ndërsa tregtia në drejtimin tjetër qëndron në nivele të ulëta. Prodhuesit kinezë të makinave elektrike po rrisin me shpejtësi pjesën e tyre të tregut të makinave elektrike në tregun evropian. Komisioni Europian vlerëson se markat kineze, si BYD, Nio dhe Xpeng, kanë kapur tashmë 8% të tregut evropian për makinat elektrike, nga 4% në vitin 2021, dhe mund të arrijnë deri në 15% në vitin 2025 nëse ky trend vazhdon i pandërprerë.


Shënim: Vlera në milion Euro e importeve mujore të Kinës nga Bashkimi Europian dhe e eksporteve të Kinës në Bashkimin Europian të makinave të reja elektrike nga viti 2019 deri në 2023.
Burimi: Eurostat (HS2-4-6 dhe CN8) dhe autori

Tregu i Bashkimit Europian për makinat elektrike konsiderohet tërheqës veçanërisht për shkak të ndalimit gradual të motorrit me djegie. Dhe për më e tepër që tarifa prej 10% për të gjitha makinat e importuara nga Kina është një normë e ulët krahasuar me vendet e tjera që aplikojnë një normë të lartë tarifore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës aplikojnë një normë 27.5% dhe India një tarifë 70%. Një tarifë kaq e lartë në rastin e Indisë është praktikisht një ndalim i importit të makinave elektrike kineze. Vlerësohet se automjetet elektrike të prodhuara në Kinë janë tashmë mesatarisht 20 për qind më të lira se homologët e tyre të prodhuara në Bashkimin Europian. Grupi i bankës zvicerane UBS vlerëson se kosto e makinave elektrike të prodhuara në Kinë përfitojnë nga zinxhiri gjithëpërfshirës i furnizimit të siguruar në vend dhe nga teknologjia e përmirësuar e prodhimit. Dhe se prodhuesit kinez do të kontrollojnë 33 për qind të tregut global deri në vitin 2030.

Kina ka avantazhin për të mbajtur një pozicion dominues në lëndët e para të nevojshme për prodhimin e baterive, si litiumi, kobalti, nikel dhe mangan. Kjo mundëson që të krijohet një mjedis gjithëpërfshirës në të cilin Kina kontrollon pothuajse çdo aspekt të zinxhirit të furnizimit. Rezultati i pashmangshëm ka qenë një rritje e lartë në prodhimin e makinave elektrike dhe një valë eksportesh në mbarë botën. Dhoma Kineze e Tregtisë në Bashkimin Europian shprehu “shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të fortë” ndaj njoftimit , duke argumentuar se rritja e tregut të prodhuesve kinezë të makinave elektrike është për shkak të një “përparësie të konsiderueshme industriale” që ata kishin zhvilluar në tregun e brendshëm dhe të huaj, dhe jo, siç la të kuptohet Presidenti i Komisionit, për shkak të subvencioneve shtetërore. Dhe se “përparësia e konsiderueshme industriale” e automjeteve kineze është rezultat i “inovacionit” dhe “partneritetit bashkëpunues”.


Një fabrikë e prodhimit të makinës elektrike në Kinë(Foto:VCG)

Hetimi është një çështje serioze për prodhuesit kinezë të makinave elektrike, sepse një tarifë më e lartë mund të pengojë rritjen e eksportit të makinave të tyre në Evropë. Vendosja e tarifave më të larta mund të shkaktojë një reaksion zinxhir, sepse Kina mund të vendosë tarifa të larta për makinat e prodhimit evropian. Prodhuesit kinezë të makinave elektrike do të priten të diversifikojnë eksportet në vende dhe rajone të tjera. Specialistë të kompanisë Everbright Securities vlerësojnë se një rritje tarifash nga Komisioni Evropian, do të prekë jo vetëm prodhuesit kinezë të makinave, por edhe markat e huaja që prodhojnë automjete në Kinë si Tesla, Renault dhe BMË. Shoqata Gjermane e Industrisë së Makinave (VDA), e cila përfaqëson interesat e prodhuesve gjermanë të makinave, ka mbajtuar një qëndrim më të matur, duke paralajmëruar se “duhet të merren parasysh edhe kundër reagimet e mundshme nga Kina”.

Ekziston rreziku që Kina të reagojë me kufizimet e veta tregtare, kufizime të cilat mund të ndikojnë shumë në industrinë gjermane, pasi është më e ekspozuara në tregun kinez. Për më tepër, mund të çojë në uljen e numrit të automjeteve elektrike që do të bien ndesh me strategjinë e Bashkimit Europian për dekarbonizimin e trafikut të makinave. Ulja e prodhimit në fushën e teknologjive të gjelbra mund të dëmtojë edhe përpjekjet globale për dekarbonizimin. Kompania kërkimore Canalys parashikoi në qershor se shitjet jashtë vendit të Kinës të automjeteve të pastra elektrike dhe hibride pritej të arrinin në 1.3 milion njësi në 2023, pothuajse dyfishi i 679,000 njësive të vitit të kaluar. Ulja e eksporteve të makinave elektrike të Kinës do të kontribuojnë në një rritje të eksporteve të kombinuara të automjeteve me benzinë dhe bateri në 4.4 milionë njësi nga 3.11 milionë në vitin 2022, shtoi firma kërkimore.

Makina elektrike kineze në port për eksport(Foto:VCG)

Alicia García Herrero, krye ekonomiste për rajonin Azi-Paqësor në Natixis Corporate and Investment Bank, nënvizon se “synimet e Bashkimit Europian duket se janë të kufizojnë aksesin në tregun evropian për automjetet elektrike kineze për të mbrojtur industrinë evropiane të makinave elektrike,”. Për Simone Tagliapietra, profesor i energjisë në Bruegel (Institut i Ekspertëve Ekonomikë), vendimi i Komisionit sinjalizon gatishmërinë për të përdorur arsenalin e tij të instrumenteve tregtare “në mënyrë më proaktive” për të mbrojtur industrinë vendase. Ministria Kineze e Tregtisë e quan hetimin e shpallur një formë të pastër proteksionizmi, i cili do të prishë industrinë globale të automobilave dhe zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar. Dhe se ky hetim do të ketë një efekt negativ në marrëdhëniet tregtare midis Kinës dhe Bashkimit Evropian.

Ministria po monitoron nga afër “prirjet proteksioniste” të Bashkimit Europian dhe do të angazhohet për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e kompanive kineze. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhimit të Makinave kineze (CAAM) deklaron se pozicioni konkurrues i makinave elektrike kineze nuk ka të bëjë fare me subvencionet. Dhoma e Tregtisë së Kinës në Bashkimin Europian inkurajon fuqimisht komisionin që t’i qaset progresit të industrisë së automjeteve elektrike të Kinës me objektivitet, në vend që të përdorë masa të njëanshme ekonomike dhe tregtare, duke paralajmëruar se tarifat mund të bien ndesh me politikat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.