SHBA përpiqen për unitet në Këshillin e Sigurimit për raketat e Koresë së Veriut

Shtetet e Bashkuara do të përpiqen për arritjen e një qëndrimi të bashkuar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si reagim ndaj lëshimit më të fundit të raketave nga Koreja e Veriut, megjithë kundërshtitë e mëparshme nga Kina dhe Rusia.

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se do të përpiqen për arritjen e një qëndrimi të bashkuar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si reagim ndaj lëshimit më të fundit të raketave nga Koreja e Veriut, megjithë kundërshtitë e mëparshme nga Kina dhe Rusia.

“I bëj thirrje këshillit të dënojë këto lëshime raketash balistike”, u tha anëtarëve të këshillit Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield. “I bëj thirrje këshillit që t’i kërkojë Koresë së Veriut të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare sipas të gjitha rezolutave relevante të Këshillit të Sigurimit. Dhe i bëj thirrje këshillit të inkurajojë Korenë e Veriut që të angazhohet në dialog kuptimplotë”.

Ambasadorja Thomas-Greenfield tha se pavarësisht përpjekjeve të mëparshme nga Kina dhe Rusia për të “ndalur të gjitha përpjekjet për një përgjigje kuptimplotë”, Uashingtoni do t’i propozojë një deklaratë presidenciale këshillit. Ky është një mekanizëm që ka peshë më të ulët se një rezolutë, por që duhet të miratohet unanimisht.

Në maj, Pekini dhe Moska përdorën veton për të bllokuar një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara që do të kishte vendosur sanksione të reja ndaj Phenianit.

Pas mbledhjes së këshillit të hënën, tetë nga 15 anëtarët e këshillit, plus Koreja e Jugut, iu bashkuan Shteteve të Bashkuara me një deklaratë që dënonte lëshimet e fundit të raketave të Koresë së Veriut.

Të hënën në mëngjes me orën lokale, Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, që shpejt u bë e qartë se ishin kundërpërgjigje për stërvitjet e përbashkëta ajrore SHBA-Koreja e Jugut të vetëm një dite më parë.

Nisja e raketave vjen më pak se dy ditë pasi Pheniani lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale Hwasong-15 në atë që e përshkroi si një stërvitje “surprizë” për të testuar aftësinë e saj për “kundërsulm të lëvizshëm dhe të fuqishëm”. Raketa ndërkontinentale mund të shihej në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë, vetëm 200 kilometra nga Hokkaido.

“Siç është raportuar në disa media, qytetarët e zakonshëm japonezë mundën të shohin qartazi raketën balistike që binte nga qielli”, u tha anëtarëve të këshillit ambasadori japonez Kimihiro Ishikane. “Unë supozoj se të gjithë mund të imagjinojmë se sa e tmerrshme duhet të ketë qenë të shohësh një raketë që fluturon drejt teje”.

Ambasadori Ishikane tha se veprimet e Koresë së Veriut ishin “të rrezikshme dhe revoltuese”, dhe se rrezikuan anijet në zonën e tyre ekskluzive ekonomike dhe ekspozuan avionët në zonën përreth ndaj një rreziku të madh.

Duke përmendur 70 raketat balistike të Phenianit të lëshuara në vitin 2022 dhe katër deri tani këtë vit, i dërguari i Koresë së Jugut i tha këshillit se Koreja e Veriut ka shumë të ngjarë të përfshihet në provokime të tjera në të ardhmen e afërt.

“Nuk ka asnjë shtet tjetër anëtar që përqesh dhe kërcënon hapur funksionimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimet e Kartës së OKB-së si Koreja e Veriut”, tha ambasadori Hwang Joonkook. Ai i kërkoi këshillit të ndreqë mangësitë në rezolutat e tij dhe të detyrojë zbatimin e tyre.

“Veprimi ynë i bashkuar është thelbësor për ta udhëhequr Korenë e Veriut drejt diplomacisë dhe dialogut”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut njoftoi të hënën një raund të ri sanksionesh ndaj nëntë subjekteve me lidhje të dyshuara me programin e raketave dhe atë bërthamor të Koresë së Veriut, duke përmbushur një zotim të ndërmarrë për të forcuar regjimin e sanksioneve globale, së bashku me diplomatët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë në kuadrin e punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih. /VOA

Lexo më shumë nga

Nufi pret komandantin e ri të KFOR-it: Shqipëria kontribut në promovimin e stabilitetit në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mikpriti sot në një takim komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR),…

Global 360

BE: Ligji për parandalimin e pastrimit të parave afron Kosovën me SEPA-n dhe tregun e BE-së

Bashkimi Evropian reagoi sot pas miratimit të ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Nufi pret komandantin e ri të KFOR-it: Shqipëria kontribut në promovimin e stabilitetit në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mikpriti sot në një takim komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR),…