
Komisioni i Ligjeve rrëzon nismën e deputetes Tabaku “Për statusin e minatorit”
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike rrëzoi sot projektligjin “Për statusin e minatorit”, nismë e deputetes së PD-së, Jorida Tabaku.

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike rrëzoi sot projektligjin “Për statusin e minatorit”, nismë e deputetes së PD-së, Jorida Tabaku.
Gjatë diskutimit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, bëri të ditur se nisma synon të rregullojë statusin social dhe ekonomik të minatorëve, duke garantuar mbrojtje të posaçme për një nga kategoritë më të rrezikuara të punës.
Ajo e cilësoi të domosdoshme nevojën për t’u ofruar minatorëve mbrojtje të veçantë sociale, duke rikujtuar se qeveria shqiptare që në vitin 2018 kishte deklaruar angazhimin për t’i dhënë këtij grupi profesional një status të posaçëm, angazhim që sipas saj ende nuk është përmbushur.
Tabaku nënvizoi se minatorët janë ndër grupet më të ekspozuara ndaj rreziqeve në punë, duke iu referuar të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, sipas të cilave rreth 20% e aksidenteve në punë në Shqipëri, shpesh me pasoja fatale për jetën, ndodhin në sektorin minerar.
Projektligji synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e punës, standardet e sigurisë dhe shëndetit në miniera, si dhe të forcojë mbrojtjen sociale për minatorët, duke ndikuar pozitivisht në motivimin dhe produktivitetin e tyre.
Sipas deputetes Tabaku, aktualisht minatorët përfitojnë një pension mesatar rreth 25 mijë lekë, ndërsa disa prej tyre marrin rreth 40 mijë lekë. Me marrjen e statusit të minatorit, vuri në dukje ajo, pensioni pritet të normalizohet në rreth 60 mijë lekë, si dhe të shoqërohet me rimbursim të shpenzimeve shëndetësore dhe përfitime të tjera financiare, edhe për ata që vijojnë të jenë aktivë në profesion.
E drejta për pension suplementar, sipas saj, ka qenë arsyeja kryesore e protestave të minatorëve për rreth një vit e gjysmë para Kuvendit.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, deklaroi se qeveria shqiptare ka qenë e kujdesshme ndër vite në trajtimin e minatorëve dhe se statusi i tyre është adresuar tashmë në kuadër të reformës së pensioneve të vitit 2014.
Sipas Musabelliut, kjo reformë ka krijuar një skemë suplementare për punonjësit e nëntokës, e cila parashikon dalje në pension 10–12 vjet më herët krahasuar me profesionet e tjera, si dhe përfitime më të larta përmes kontributeve shtesë nga punëmarrësit dhe punëdhënësit.
Ai sqaroi se skema suplementare parashikon një minimum prej 12.5 vitesh punë në nëntokë për të përfituar të drejtën e pensionit dhe se, përveç përfitimeve financiare, punonjësit e nëntokës gëzojnë edhe një sërë përfitimesh të tjera të përcaktuara në akte nënligjore.
Musabelliu theksoi se, bazuar edhe në legjislacionin ndërkombëtar, skema shqiptare për trajtimin e profesioneve të vështira i plotëson kriteret e nevojshme dhe ofron mbrojtje sociale të krahasueshme, madje më të qartë dhe më transparente se ajo e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas zëvendësministrit, nëse flitet për një status të posaçëm, ai duhet të përkufizohet si një paketë të drejtash dhe përfitimesh për kategori të caktuara sociale, ndërsa këto të drejta, sipas tij, janë tashmë të garantuara nga legjislacioni aktual.
Për këtë arsye, ai vlerësoi se çështja është e adresuar dhe e rregulluar mjaftueshëm në kuadrin ligjor ekzistues, duke e bërë të panevojshëm miratimin e një statusi të veçantë për minatorët.
Referuar raportit të vlerësimit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, numri i përfituesve nga ky status parashikohet të jetë rreth 13 300 minatorë, ndërsa efekti financiar për buxhetin e shtetit vlerësohet në rreth 1 miliard e 275 milionë lekë në vit.
Marrë nga ATSH



















