
Qeverisja Urbane në Shekullin XXI: Sfidat Globale, Përvoja Kineze dhe Perspektiva e Bashkëpunimit Ndërqytetas
Nankin, ky qytet historik përgjatë brigjeve të lumit Jance, është kthyer në këto ditë nëntori të vitit 2025 shtëpia e Dialogut Global të Kryetarëve të Bashkive, që është një platformë e cila mbledh drejtuesit e pushtetit vendor nga dhjetëra vende për të diskutuar mbi qeverisjen urbane, zhvillimin e qëndrueshëm, rolin e bashkëpunimit ndërqytetas, etj.

Nga Dr. Enriko Ceko
Nankin, ky qytet historik përgjatë brigjeve të lumit Jance, është kthyer në këto ditë nëntori të vitit 2025 shtëpia e Dialogut Global të Kryetarëve të Bashkive, që është një platformë e cila mbledh drejtuesit e pushtetit vendor nga dhjetëra vende për të diskutuar mbi qeverisjen urbane, zhvillimin e qëndrueshëm, rolin e bashkëpunimit ndërqytetas, etj.
Kjo është një inciativë e propozuar nga Kina. Tashmë kjo ngjarje e rëndësishme e pushtetit vendor në rang botëror është organizuar disa herë në qytete të ndryshme të Kinës, por këtë radhë vjen në një kohë kur qytetet po përballen me shumë ndryshime dhe sfida njëkohësisht. Modernizimi, sfidat mjedisore, rritja e shpejtë demografike, kërkesa për cilësi më të lartë jetese, e të tjera sfida janë përballë nesh dhe kërkojnë zgjidhje cilësore dhe të shpejta.
Sot, në mbarë globin në zonat urbane jeton mbi 56% e popullsisë dhe deri në vitin 2050 pritet që kjo shifër të shkojë në rreth 70%. Qyteti Nankin, me historinë e tij mbi 2.500 vjeçare, si një qendër e hershme sociale, kulturore dhe ekonomike, ofron qasje shumë të vlefshme për të kuptuar se si mund dhe duhet të transformohet qeverisja urbane e shekullit XXI
Tashmë është e dukshme se sfidat kryesore të qeverisjes urbane në dimensionin global mbeten:
1. Rritja e shpejtë urbane dhe presioni mbi infrastrukturën
2. Ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmëria ekologjike
3. Ruajtja e trashëgimisë kulturore në epokën e ndërtimit masiv
4. Transformimi digjital dhe qytetet inteligjente
5. Pjesëmarrja qytetare dhe qeverisja demokratike locale
Në lidhje me rritjen e shpejtë urbane dhe presionin që shtohet mbi infrastrukturën mund të themi se në shumë zona të globit urbanizimi prek kohës i ka tejkaluar kapacitetet e furnizimit me ujë, shërbimet për transporti, për infrastrukturën sanitare dhe për strehim. Kjo bën që edhe kërkesat për hapësira urbane dhe shërbime të shumta dhe cilësore të rriten në mënyrë eksponenciale më shpejt se planifikimi.

Pjesëmarrësit në Dialogun Global të Kryetarëve të Bashkive vizitojnë një muze në qytetin Nankin, Kinë Lindore/Foto nga VCG
Në lidhje me ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmërinë ekologjike mund të themi se qytetet bregdetare, përfshirë Hamburgun, Aleksandrinë, Durrësin, Barcelonën, Venecian, etj, po përballen me rreziqe të rritjes së nivelit të detit, përmbytjeve dhe ngjarjeve ekstreme klimatike dhe krahas kësaj, zhvillimi i qëndrueshëm kërkon strategji të mirëmenduara dhe të integruara të mbrojtjes së mjedisit.
Në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në epokën e ndërtimeve massive mund të themi se qytetet moderne po luftojnë fort për të gjetur balancën midis ruajtjes së identitetit historik e trashëgimisë nga njëra anë dhe presionit të ndërtime të reja, moderne, me materiale jo tradicionale, nga ana tjetër, dhe në këtë aspekt, shumë komunitete rrezikojnë të humbasin karakterin e tyre unik.
Në lidhje me transformimin digjital dhe qytetet inteligjente, mund të themi se automatizimi, big data, tregtia elektronike dhe inteligjenca artificiale po e transformojnë në mënyrë të padukshme dhe të shpejtë mënyrën se si qytetet menaxhojnë trafikun, energjinë, shërbimet publike dhe sigurinë dhe në këtë aspekt, sfida kryesore mbetet se si të përdorim këto teknologji, pa cënuar dhe dëmtuar privatësinë dhe duke bërë përpojekje për shmangien dhe eliminim e pabarazive sociale?

Pjesëmarrësit në Dialogun Global të Kryetarëve të Bashkive vizitojnë qytetin Nankin, Kinë Lindore/Foto nga VCG
Në lidhje me aspektet e pjesëmarrjes qytetare dhe qeverisjes demokratike lokale, një nga teoritë themelore modern të menaxhimit të pushtetit vendor thekson se “vendimmarrja është më efektive sa më afër qytetarit të jetë ajo”, por në pjesë të ndryshme të globit vihet re se qytetarët e ndiejnë vehten të shkëputur nga institucionet vendore dhe jo të përfshirë në jetën e komuniteteve.
Përballë kësaj gjendjeje duket se përvojat e Kinës që ka kaluar me kujdes në atë teknikën e menaxhimit të pushtetit lokal, që njihet edhe si “punimi me gjilpërë” (referuar rrobaqepësve me përvojë dhe me profesionalizëm), shërben si përvojë edhe për të tjerët.
Kina prej dekadash është njohur për ritmet e shpejta të urbanizimit dhe këtu qeverisja urbane ka pësuar një transformim tërësisht cilësor sepse synimi ka qenë rinovimi i kujdesshëm i peisazhit urban, me orientim nga plotësimi i dëshirave dhe nevojave të komuniteteve dhe jo thjesht ndërtime pa kriter dhe kjo qasje është pikërisht ajo që i referohet “punimit me gjilpërë”, që ka të bëjë me ndërhyrje të vërteta, cilësore, me precision të lartë, të fokusuara te cilësia e jetesës dhe te qytetari.
Nankini mund të shërbejë si një shembull shumë i mirë për këtë, sepse në këtë qytet është bërë një punë shumë e madhe për të gjetur një balancë midis modernizimit dhe historisë. Nankini tashmë shërben edhe si një model i integrimit të mbrojtjes së traditës, kulturës, dhe historisë kombinuar me urbanizimin bashkëkohor. Gjatë punimeve të këtij takimi ndërkombëtar, delegate nga dhjetra vende të botës kanë mundësinë të vizitojnë murin 600-vjeçar të qytetit, zonat përgjatë lumit Jance dhe lagjet ekologjikisht të rinovuara, duke kqyrur nga afër filozofinë e “transformimit pa shkatërrim”.

Dialogu Global i Kryetarëve të Bashkive, Nankin, Kinë Lindore/Foto nga VCG
Një shembull tjetër është padyshim Shangai, ku ripërtëritja dhe rinovimi kanë bërë që në këtë qytet të zhvillohet një nga politikat më të avancuara të rinovimit urban. Lilongjet, këto komplekse banimi me rrugica karakteristike, janë restauruar përmes parimeve (1) riparim para zëvendësimit, (2) ruajtje para prishjes dhe (3) ripërdorim para ndërtimit të ri dhe në vend të ndërtimeve masive, qyteti tërësisht është fokusuar në (1) përmirësime të çatisë, drenazhimit dhe mbrojtjes nga zjarri, (2) rikuperim të hapësirave publike, dhe (3) krijim të këndeve të gjelbra, ulëseve dhe mikro-peizazheve dhe e tërë kjo me anë të menaxhimit të balancuar të ndërhyrjes tregtare për të ruajtur jetën komunitare.
Sipas teorive bashkëkohore të menaxhimit publik – si “Qeverisje re urbane – New Urban Governance”, “Menaxhim adaptiv i qytetit – Adaptive City Management” dhe “Qeverisje vendore pjesëmarrëse – Participatory Local Governance” – pushteti vendor është element kyç në zhvillimin e qëndrueshëm sepse:
1. Qeverisja vendore është më efektive sepse i njeh drejtpërdrejt nevojat e komunitetit dhe kryetarët e bashkive janë agjentë të transformimit dhe me këtë atribut ata mund të veprojnë shpejt dhe me fleksibilitet.
2. Qytetet sot nuk funksionojnë të izoluara dhe ato duhet të koordinojnë politikat e tyre me qeverinë kombëtare, rajonale, sektorin privat dhe shoqërinë civile.
3. Forume si ky që po zhvillohet në Nankin tregojnë se qeverisja urbane nuk është më një çështje e një shteti apo e një rajoni, por është kthyer tashmë në një çështje mbarëglobale.
Në këtë aspekt, shkëmbimet ndërqytetase të përvojës krijojnë (1) transferim njohurish, (2) inovacion të përbashkët, (3) standarde të përmirësuara të projekteve publike, dhe (4) sinergji kulturore dhe teknologjike.
Kjo është arsyeja se përse pushteti vendor ka një rol vendimtar në planifikimin e (1) transportit publik, (2) menaxhimin e mbetjeve, (3) energjinë e gjelbër, (4) krijimin dhe menaxhimin e hapësirave të gjelbra, (5) strehimin e përballueshëm nga qytetarët dhe (6) qëndrueshmërisë klimatike.

Qyteti Shangai, Kinë Lindore/Foto nga VCG
Është tashmë mëse e suksesshme dhe aq më shumë edhe nga përvoja e Kinës se pa qeverisje lokale të fortë nuk mund të ketë zhvillim urban të qëndrueshëm dhe kjo është edhe arsyeja se përse takimi që po zhvillohet këto ditë në Nankin mund dhe duhet shërbejë si një platformë e bashkëpunimit global për aspektet, qasjet dhe zhvillimet e mëtejshme urbane.
Dialogu Global i Kryetarëve të Bashkive në Nankin synon (1) të nxisë shkëmbimin e përvojave praktike, (2) të udhëheqë bashkëpunimin në shkencë, teknologji, ekonomi dhe kulturë, (3) të ndërtojë ura midis mjediseve të ndryshme urbane, (4) të promovojë sinergji midis qyteteve bregdetare, (5) të zhvillojë projekte të përbashkëta për kulturën, turizmin, arsimimin dhe inovacionin, etj.
Nëse do e thyejmë traditën e teorive politike dhe hidhemi nga teoria në praktikë duhet që patjetër të shkojmë drejt një modeli të ri urban global, sipas shembullit të Kinës dhe në këtë drejtim mund të identifikohen disa drejtime strategjike për qytetet e së ardhmes:
1. Qytete që zhvillohen “nga brenda” dhe jo vetëm “nga jashtë”
2. Integrim i teknologjisë pa humbur dimensionin human
3. Balancim midis zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes kulturore
4. Qeverisje fleksibile, adaptive dhe e bazuar në të dhëna
5. Bashkëpunim ndërkufitar dhe diplomaci urbane
Si përfundim Nankin, qyteti dinamik modern dhe që përfshin në vehte historinë e tij mijëravjeçare, tashmë është kthyer në një qendër globale e cila ndihmon për një reflektim të thellë mbi të ardhmen e qyteteve, sepse në fund të fundit qeverisja urbane nuk është thjesht dhe më vetëm një detyrë administrative, por është një proces strategjik, një shkencë sociale e avancuar dhe një art i balancimit të së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes dhe në këtë aspekt përvoja kineze e rinovimit të kujdesshëm, e kombinuar me teoritë bashkëkohore të menaxhimit të pushtetit lokal dhe shkëmbimet ndërkombëtare, ofron një model të vlefshëm për qytetet që duan të ndërtojnë zhvillim të qëndrueshëm, të bazuar te njerëzit dhe kulturat që i japin kuptim jetës urbane.
Tashmë jemi duke përjetuar një botë ku qytetet janë motori kryesor i jetës ekonomike, sociale dhe kulturore dhe forume të tilla si Dialogu Global i Kryetarëve të Bashkive që zhvillohet në Nankin mbeten gurë të rëndësishëm themeli për një të ardhme më të bashkërenduar, më të gjelbër dhe më njerëzore.
Burimi CGTN

















