
Kupa e Botës 2026, Shehu dhe Daku: Ndeshja e radhës me Letoninë e rëndësishme, synojmë të marrim tri pikët
Shqipëria do të luajë të martën në ora 20:45 në stadiumin ‘Air Albania’ ndeshjen ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.

Mesfushori Juljan Shehu dhe sulmuesi Mirlind Daku dolën sot në konferencën për media nga stadiumi “Air Albania”, në prag të sfidës Shqipëri – Letoni.
Futbollistët kuqezi folën për objektivat e këtij takimi, ndërsa komentuan gjithashtu fitoren 0-1 në miqësoren e fundit ndaj Gjilbraltarit.
Juljan Shehu theksoi se ndeshja e radhës ndaj Letonisë është shumë e rëndësishme dhe objektivi kryesor është të marrim tre pikët.
“Objektivi për ndeshjen me Gjilbraltarin ishte që të provoheshin lojtarët e rinj, disa mënyra loje. Besoj se zhvilluam një ndeshje të mirë. Lojtarëve që iu dha mundësia të luanin, besoj se luajtën mirë dhe treguan vlerat e tyre si futbollistë të ekipit kombëtar. Ishte ndeshje pozitive”, tha ai.
Shehu theksoi se, “ndeshja e ardhshme është më e rëndësishmja. Gjendja në skuadër është shumë e mirë, kemi entuziazëm dhe duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Ky është edhe objektivi kryesor, që të marrim tre pikët”
“Besoj se nuk kemi zhvilluar ndeshje të këqija, por më e rëndësishmja është që të kemi rezultate, për të cilat ne luajmë 90 minuta. Besoj se në këto ndeshje, bashkë me lojën e mirë të kemi dhe rezultate. Ndaj Letonisë, duam të marrim tre pikët dhe gjithçka është më e lehtë pastaj”, shtoi Shehu.
Sa i përket korrigjimit të gabimeve të ndeshjes së kaluar me Letoninë, Shehu tha se, “nuk besoj se është çështje përqëndrimi. Çdo ekip, qoftë Letonia, qofshin ekipe të tjera që në letër janë më të dobëta se ne, edhe ato luajnë futboll dhe nuk është e lehtë të fitosh kundër tyre. Sidomos në fushat e tyre. Në këtë ndeshje do të bëjmë akoma më shumë për të marrë tre pikët”.
“Klubi nuk është njëlloj me kombëtaren. Tek ekipi, pozicioni im natyral është mesfushor difensiv. Por që në varësi të taktikave të trajnereve, ndonjëherë edhe lojtarët ndërrojnë pozicionet. Kjo nuk është e përcaktuar gjithmonë. Ka trajnerë që më kërkojnë të luaj pak më përpara, ka trajnerë që më kërkojnë të luaj pak më mbrapa. Te kombëtarja, trajneri ka vendosur që unë të luaj si mesfushor difensiv dhe unë duhet të bëj më të mirën në ate pozicion dhe në detyrat që më jep trajneri”, tha Shehu.
Edhe sulmuesi Mirlind Daku komentoi ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit dhe foli për sfidën e radhës kualifikuese ndaj Letonisë, duke theksuar se objektivi është fitorja në “Air Albania”.
“Ndeshja me Gjibraltarin ishte ndeshje ku kemi pasur shumë testime të lojtarëve të rinj që kanë ardhur dhe ishte hera e parë që kemi luajtur bashkë. Sa i përket aspektit sulmues kishim disa raste, por nuk ishte ai përqendrimi maksimal duke marrë parasysh që ndeshjet miqësore janë vetëm për të parë ekipin si vendoset dhe skemat që i përgatisim. Besoj që ndeshjet miqësore janë normalisht për t’u fituar dhe për të parë ekipin në lojë se çfarë duhet për t’u përmirësuar”, tha Daku.
Për ndeshjen me Letoninë, Daku u shoreh se, “në ndeshjen e parë kundër Letonisë kemi pasur shumë raste, por ndoshta vinim pas një ndeshje këtu në “Air Albania” kundër Serbisë me shumë volum dhe intensitet, por prapë se prapë ishim pak agresivë te pjesa e finalizimeve, por rastet nuk mungonin. Kjo është ajo që nuk duhet të brengosemi, pasi kemi pasur raste dhe mund të fitonim, por shpresoj që në ndeshjen e radhës të fitojmë, pasi kemi mësuar nga gabimet që kemi bërë”.
“Forcën duhet ta gjejmë dhe besoj që shumë shpejt dhe duke filluar nga ndeshja e Letonisë që është shumë e rëndësishme për të vazhduar rrjedhën e ndeshjeve që kemi me shumë intensitet dhe duhet patjetër të gjejmë forcën dhe të japim maksimumin për t’i fituar këto ndeshje, për të qenë më të qetë sepse ndeshjet më të vështira që i ka ndonjë skuadër është kur luan kundër këtyre ekipeve që në letër nuk kanë çfarë të humbin dhe futen në fushë për çdo gjë. Prandaj duhet të gjejmë forcën, të jemi të bashkuar dhe të luftojmë deri në fund për qëllimet tona që i kemi”, theksoi Daku.
Sa i përket paraqitjes së skuadrës deri më tani në këto kualifikuese, Daku tha se, “besoj e keni parë dhe po i referohem ndeshjes me Serbinë që kemi qenë shumë të përgatitur dhe më të mirë në atë ndeshje se kundërshtari. Besoj që vetëm kundër Anglisë që kemi luajtur atje, të gjitha ndeshjet e tjera i kemi dominuar dhe duhet edhe këto ndeshje të bëjmë një hap më shumë deri te ëndrra që kemi, për të siguruar Kupën e Botës. Edhe pse kanë mbetur shumë pak ndeshje, por është një rrugë shumë e gjatë, sepse duhet shumë punë dhe angazhim për të arritur deri atje, sepse kemi kundërshtarë shumë të fortë, por besoj te ky grup dhe te gjithë ne që me mund, sakrificë dhe angazhim do ja dalim”.
Shqipëria do të luajë të martën në ora 20:45 në stadiumin ‘Air Albania’ ndeshjen ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.