
Ylli: Sportistët të shpërblehen edhe për rezultatet në Lojërat Olimpike Evropiane dhe Islamike
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.79/2017, “Për sportin”.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.79/2017, “Për sportin”.
I pranishëm në këtë dëgjesë, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli u shpreh parimisht dakord me pr/ligjin, teksa kërkoi disa ndryshime.
Sa i përket pjesës së Këshillit të Arbitrazhit Sportiv, KAS, Ylli u shpreh se, “në pr/ligj thuhet se KAS është organizatë e pavarur, jo fitimprurëse që krijohet në formën e qendrës, e cila drejton, autorizon, mbikëqyr dhe kontrollon. Jo për mendimin tim të nderuar deputetë duhet të hiqen këto fraza, kontrollon mbikëqyr. KAS është një organ kolegjial që edhe në ligjin e vjetër që ka qenë është për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e sportit organizohet dhe funksionon Këshilli i Arbitrazhit Sportiv. Nuk mund të fusim fjalë as kontrollon as mbikëqyr. Është vetëm kaq zbaton vendime. Organizmi disiplinor që merret me gjithë çështjet sportive”.
Sa i përket sportistëve, elitarë, Ylli kërkoi që të përfshihen në shpërblimet e sportistëve edhe rezultatet që arrihen në Lojërat Olimpike Evropiane dhe Lojërat Islamike.
“Janë dy aktivitete ku janë më të mirët e botës. Në lojërat Islamike Shqipëria ka marrë 2 medalje dhe sportistët nuk përfitojnë asnjë shpërblim sepse nuk janë të përcaktuara në këtë ligj. Në Lojërat Olimpike Evropiane, Luiza Gega mori medalje dhe Alvin Karaqi që morën 2 medalje të arta, këta sportistë nuk janë të përfshirë në shpërblime sepse ministria me të drejtë i thotë këto nuk janë të përfshira në ligj. Sugjeroj që këto 2 aktivitete të rëndësishme të përfshihen”.
Sa i përket aktivitetit të Ekipeve Sportive në Shkolla, Ylli u shpreh se KOKSH ka 2 Memorandume Bashkëpunimi me Federatën e Volejbollit dhe Federatën e Basketbollit, që “kemi të drejtë që pas orës së mësimit t’u vijmë në ndihmë këtyre dy federatave”.
“Është i treti vit rresht që 12 mijë fëmijë janë përfshirë në një lëvizje kaq masive dhe vetë Presidenti i Komitetit Olimpik Botëror, Tomas Bach, në asamblenë që patëm para një muaji në Frankfurt tha “merrni shembull nga KOKSH që ka të përfshirë 12 mijë fëmijë në volejboll dhe basketboll që i largon nga celulari, nga veset dhe i ka afruar me palestrat. Në të njëjtën kohë janë 450 trajnerë që paguhen nga KOKSH jashtë orës së mësimit. Janë familjarë që nuk paguajnë 50 mijë lekë për të shkuar tek shoqata pasdite dhe të gjitha këto i subvencionon KOKSH përmes këtij buxheti. Ne po arritëm të fusim të gjithë sportet në shkollë i kemi bërë një nder të madh këtij vendi”, tha Ylli.
Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa u shpreh se ky pr/ligj ka një tendencë për ta centralizuar sportin rreth KOKSH-it.
Ajo theksoi se, Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka bërë funksionin e vetë, duke mos marrë modele sesi funksionon KAS, por e ka bërë KOKSH.
Zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha u shpreh se, “sa i përket përfshirjes së Lojërave Olimpike Evropiane dhe Lojërave Islamike në shpërblimin e sportistëve, do të shikohet, pasi së fundmi kemi nisur me pjesëmarrjen në këto lojëra”.
Sa i përket financimit të KOKSH për Ekipet Sportive, Hoxha u shpreh se me ligjin aktual ne mbështesim KOKSH deri në 7% të fondit grant të të gjithë federatave, por projekti i Ekipeve Sportive kalon përmes një akti normativ.
“Duke parë që ky projekt nga 9 mijë, 10 mijë, në 12 mijë, duket që është një projekt për masivizimin e sportit menduam që këtë gjë ta përfshijmë në ligj pa cenuar asnjë lloj federate. Ne themi që nga institucione shtetërore dhe KOKSH. Pra nesër mund të kemi vetë një marrëveshje si ajo me “Be Active” që është një gjë brenda ministrisë apo që mund të kemi me UEFA-n apo FIFA-n, duke qenë se është projekti për t’u ndarë dhe në disiplina të tjera”, u shpreh Horxha.
Zv/ministri Hoxha shtoi se, buxheti i sportit është trefishuar. “Buxheti i sportit nuk është vetëm mbështetja e federatave, por është edhe infrastruktura sportive. Rreth 9.2 miliardë janë dhënë përsa i përket stadiumeve. 1.9 miliardë janë dhënë për 200 palestra dhe terrene sportive. Dhe për KOKSH janë dhënë 5 milionë dollarë çdo vit. Objektivat e qeverisë kanë qenë të qarta. Patjetër mbetet sfidë buxheti i federatave sportive”, tha Hoxha.
Më pas seanca vijoi me dëgjesën e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku i pranishëm ishte anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Envi Hicka, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha, dhe Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF, Aldi Topçiu.
Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa ngriti dy probleme të cilat janë diskutuar lidhur me ndeshjen Shqipëri-Serbi e cila u mbajt të shtunën në stadiumin “Air Albania”.
Ajo tha se shqetësimet kryesore kanë qenë çmimet e biletave dhe mos lejimi i tifozëve kuq e zi për të marrë biletat si ka bërë më parë.
Anëtari i komunitetit ekzekutiv të FSHF tha se tregun e biletave e ka vendosur kërkesa e madhe.
Hicka u shpreh se, “fryma me të cilën duhet që qeveritë t’i zgjaten sportit është se duhet ta shtrijnë dorën sa më pak, pasi kjo është një punë private. Unë kam gati 20 vite që përpiqem për këtë liri”.
“FSHF nuk ka kënaqësi që të mbeten njerëz të pakënaqur. FSHF duhet të maksimalizojë produktet e saj nga ana ekonomike dhe kur ka një kërkesë të caktuar, oferta duhet t’i përshtatet kërkesës”, tha Hicka.
Ai tha se në këtë rast vendosën që asnjë tifoz të mos ishte tifoz i dorës së parë apo i dorës së dytë, pasi kërkesa ka qenë shumë e madhe, ndërsa kapacitetet nuk janë të pafundme.
Hicka shtoi se, ky neutralitet tek tifozeria do të vijojë të jetë e njëjtë dhe rastësia do të vendosë për zgjedhjen e biletave.
Ndërsa sa i përket pr/ligjit “Për Sportet”, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF, Aldi Topçiu, u shpreh se, “në nenin 3 të pr/ligjit, i cili i jep KOKSH rol zyrtar në organizmin e aktiviteteve jashtë procesit mësimor në bashkëpunim me MAS dhe institucionet shtetërore ne besojmë se cenon kompetencat ekzistuese të federatave të sportit shkollor dhe universitar”.
“Në nenin 4 zgjerohet përkufizimi i organizatave sportive duke përfshirë në to dhe fondacionet sportive të cilat mund të krijohen nga institucione publike dhe të financohen me fonde shtetërore. Në këndvështrimin tonë kjo hap rrugën për një lloj shtetëzimi të butë përmes entiteteve jo fitimprurëse që i nënshtrohen ndikimit publik dhe politik”, tha ai ndër të tjera.
Sa i përket krijimit të KAS, Topçiu tha se, “pr/ligji synon vendosjen e një arkitekture të re të drejtësisë sportive ku roli i shtetit nuk është më thjesht mbështetës, por drejtues”.
Burimi ATSH