
Bashkëpunim i ri shkencor mes Shqipërisë dhe Izraelit, firmoset marrëveshja mes dy akademive
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi priti në vizitë zyrtare dyditore një delegacion të Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit, të kryesuar nga kryetari i saj David Harel.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi priti në vizitë zyrtare dyditore një delegacion të Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit, të kryesuar nga kryetari i saj David Harel.

Në kuadër të këtij takimi u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive, e cila përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjinushi shprehu bindjen se kjo marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e komunikimit dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive.
Ai e njohu delegacionin izraelit me historikun, strukturën dhe veçoritë e funksionimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa solli në vëmendje edhe tri projektet madhore me të cilat është e angazhuar aktualisht Akademia e Shkencave, si “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, “Historia e shqiptarëve” dhe “Enciklopedia shqiptare”, në hartimin e së cilës janë përfshirë mbi 500 studiues.
Krahas këtyre projekteve, Gjinushi përmendi organizimin e rreth 150 veprimtarive shkencore dhe simpoziumeve në vit, kryesisht në bashkëpunim me institucionet homologe në Kosovë, si dhe kontributin e Akademisë në trajtimin e çështjeve me rëndësi kombëtare.
Në këtë drejtim, ai veçoi punën e grupeve të posaçme për Eurokodin, sizmologjinë dhe hartimin e hartave të mikrozonalizimit sizmik pas tërmeteve.
Nga ana e tij, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit, Harel u ndal te modeli i funksionimit dhe pavarësia institucionale e Akademisë që ai drejton, duke theksuar se ajo nuk varet nga asnjë strukturë shtetërore.
Ruajtja e pavarësisë së institucionit i shërben edhe rolit themelor që Akademia luan në këshillimin dhe kritikën në çështjet që lidhen me zhvillimin e shkencës dhe të arsimit në vendin e tij. Kontributi themelor i Akademisë është dhënia e ekspertizës dhe e këshillimit të pavarur.
Akademia ka më shumë rol honorifik dhe kërkimi shkencor realizohet si pasojë e bashkëpunimit mes anëtarëve të saj në bashkëpunim me institucionet e tjera kërkimore në vend dhe universitetet, të cilat kanë infrastrukturën dhe kapitalin human për realizimin e kërkimeve shkencore.
Në takim u theksua rëndësia që ka pavarësia e akademive nga politika dhe ekzekutivi.
Delegacioni më pas zhvilloi një takim njohës me kryetarët e seksioneve, drejtuesit e instituteve dhe qendrave të përhershme të kërkim-studimit, kryetarët e komisioneve të përhershme, si dhe drejtuesit e njësive të përkohshme pranë Akademisë së Shkencave.
Në përfundim të takimeve zyrtare delegacioni i Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit vizitoi Muzeun Arkeologjik të Akademisë së Shkencave.
Vizita zyrtare u përmbyll me takimin e delegacionit me drejtues të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Burimi ATSH



















