
Marshimi i Madh kinez, mbijetesa revolucionare dhe rrugëtimi i modernizimit
Ka ngjarje historike që nuk përfundojnë bashkë me ata që i kanë përjetuar. Ato mbeten në kujtesën e një populli, kalojnë nga një brez te tjetri dhe me kalimin e kohës, marrin kuptime të reja.

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)
Ka ngjarje historike që nuk përfundojnë bashkë me ata që i kanë përjetuar. Ato mbeten në kujtesën e një populli, kalojnë nga një brez te tjetri dhe me kalimin e kohës, marrin kuptime të reja.
Marshimi i Madh i Kinës, i cili nisi në tetor të vitit 1934 dhe përfundoi në tetor të vitit 1936, ishte një nga ngjarjet që lanë gjurmë të thella në historinë moderne kineze. Ishte një udhëtim i gjatë dhe i vështirë, i shoqëruar nga beteja, humbje dhe sakrifica të mëdha. Por, përtej rrugës së përshkuar dhe vështirësive të kapërcyera, Marshimi i Madh u bë një përvojë që ndikoi në rrjedhën e historisë së vendit. Nëntëdhjetë vjet më vonë, kjo ngjarje nuk kujtohet vetëm si pjesë e së kaluarës revolucionare, por edhe si një mënyrë për të kuptuar se si Kina e sotme e sheh historinë e saj dhe rrugën që ka ndjekur deri këtu.
Nga përpjekja për të mbijetuar përballë rrethimit ushtarak, te themelimi i Republikës Popullore të Kinës, e më pas te reformat ekonomike dhe procesi i modernizimit, historia kineze është shënuar nga ndryshime të mëdha dhe sfida të vazhdueshme. Në këtë rrugëtim, një ide është përsëritur shpesh: arritjet e rëndësishme nuk vijnë lehtë, por kërkojnë kohë, këmbëngulje dhe përpjekje të vazhdueshme. Çdo brez trashëgon atë që është ndërtuar para tij, por ka edhe përgjegjësinë për ta çuar më tej.
Një provë kombëtare dhe një kthesë historike
Marshimi i Madh ishte një manovër ushtarake e Ushtrisë së Kuqe të Punëtorëve dhe Fshatarëve Kinezë, i cili përbënte një zhvendosje strategjike. Ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme politike dhe ushtarake në historinë moderne të Kinës ky u përshkuan rreth 12 500 kilometra dhe në nisje morën pjesë rreth 206 000 ushtarë, të cilëve iu bashkuan edhe 17 000 përforcime. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte rreth 20 vjeç, ndërsa mes tyre kishte mbi 2 000 gra dhe ushtari më i ri ishte vetëm 9 vjeç. Gjatë këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm, forcat kaluan mbi 40 maja malesh dhe zhvilluan më shumë se 600 beteja. Kostoja njerëzore ishte tepër e rëndë: rreth 166 000 ushtarë u vranë ose u zhdukën, ndërsa vetëm 57 000 mbijetuan, duke dëshmuar sakrificën, qëndresën dhe vendosmërinë e jashtëzakonshme të atyre që u bënë pjesë e këtij kapitulli historik.

Vizitorë në një ekspozitë për Marshimin e Madh, tetor Pekin/Foto nga VCG
Pas Marshimit të Madh, Partia Komuniste Kineze (PKK) krijoi një bazë të fortë në Shaanxi-n verior. Prej aty, ajo u fuqizoi, udhëhoqi popullin kinez në luftën kundër pushtimit japonez dhe themeloi Republikën Popullore të Kinës më 1 tetor 1949.
Marshimi nuk ishte thjesht një taktikë ushtarake, por u shndërrua edhe në një proces që ndikoi në konsolidimin e PKK-së dhe në krijimin e bazave për zhvillimet e mëvonshme politike në Kinë. Përvoja e kësaj periudhe forcoi disiplinën, kohezionin dhe aftësinë për t’u përshtatur me rrethanat, ndërsa qëndresa e trupave u shndërrua në një element të rëndësishëm të kujtesës historike dhe identitetit politik të Partisë që udhëheq popullin kinez edhe sot. Në vitet që pasuan ajo zgjeroi ndikimin e saj gjatë luftës kundër pushtimit japonez dhe në konfliktin e mëvonshëm me nacionalistët.
Sot, Marshimi i Madh kujtohet në Kinë si një simbol i sakrificës, këmbënguljes dhe mbijetesës politike, ndërsa rëndësia e tij historike lidhet me mënyrën se si një forcë ushtarake e dobësuar arriti të ruante organizimin dhe të krijonte kushtet për ardhjen e saj në pushtet.
Nga revolucioni te modernizimi – Marshimi nuk ndalet
Për breza të tërë udhëheqësish kinezë, Marshimi i Madh nuk është thjesht një fushatë ushtarake, por një metaforë për detyrën e vazhdueshme të transformimit të Kinës.
Kur u themelua Republika Popullore e Kinës në vitin 1949, sfida e vendit nuk ishte vetëm mbijetesa e një lëvizjeje revolucionare. Përpara qëndronte detyra shumë më e madhe e ndërtimit të një shteti të ri, rindërtimit të ekonomisë dhe përmirësimit të kushteve të jetesës së një popullsie të madhe. Në këtë kuptim, Marshimi i Madh nisi të interpretohej edhe si metaforë e një procesi që nuk përfundonte me fitoren politike.

Një varrezë kolektive e dëshmorëve gjatë Marshimit të Madh, fshat Wangping, provincë Sichuan, Kinë Jugperëndimore/Foto nga VCG
Në vitin 1949, Mao deklaroi se fitorja e revolucionit do të ishte vetëm hapi i parë i Marshimit të Madh. Pas saj do të vinte një tjetër rrugëtim: transformimi i vendit. Ky këndvështrim fitoi një rëndësi të veçantë pas vitit 1978, kur Kina nisi reformat ekonomike dhe politikën e hapjes ndaj botës, duke ndryshuar gradualisht modelin e saj të zhvillimit. Deng Xiaoping, një prej veteranëve të Marshimit të Madh, e lidhi modernizimin me objektiva të përcaktuara në etapa. Synimi fillestar ishte përmbushja e nevojave bazë të popullsisë për ushqim dhe veshje; më pas, arritja e një niveli të moderuar prosperiteti; dhe, në një horizont më të gjatë, realizimi i modernizimit të vendit. Kjo qasje u bë e njohur si koncepti i një “Marshimi të Ri të Madh”, duke e zhvendosur simbolikën e rrugëtimit historik nga mbijetesa ushtarake drejt zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Në këtë model, një rëndësi të veçantë merr ndërthurja e objektivave strategjike me përshtatjen ndaj kushteve konkrete.
Presidenti Xi Jinping e ka çuar edhe më thellë këtë traditë dhe shumë herë i referohet Marshimit si një bazë për arritje të reja për Kinën. “Marshimi i Madh i brezit tonë është arritja e ‘dy objektivave të njëqindvjetorit’ dhe realizimi i Ëndrrës Kineze – ripërtëritja e kombit kinez,” është shprehur Xi.
“Çdo brez duhet të ndërmarrë Marshimin e tij të Madh”
Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje në 22 tetor 2026 për përpjekje të mëtejshme në Marshimin e Madh. “Vetëm duke e kujtuar historinë mund të krijojmë një të ardhme më të ndritur,” tha Xi.
Ai e ka paraqitur këtë përvojë si një burim frymëzimi për sfidat bashkëkohore. Në këtë interpretim, historia nuk është thjesht një arkiv ngjarjesh, por një pikë referimi për përcaktimin e përgjegjësive të së tashmes. Pikërisht këtu qëndron edhe një prej kuptimeve më të rëndësishme të metaforës së Marshimit të Madh: rruga drejt zhvillimit nuk është lineare dhe as e çliruar nga pengesat. Çdo etapë sjell vështirësi të reja dhe kërkon rishikimin e mjeteve, pa humbur qartësinë e qëllimeve.

Foto nga VCG
Xi është shprehur se ” Fryma e Marshimit të Madh dëshmon fuqinë e besnikërisë, së vërtetës, drejtësisë dhe unitetit. Ajo do të mbetet gjithmonë një forcë shtytëse, që na frymëzon të kapërcejmë vështirësitë dhe të ecim përpara me guxim.”
Fryma e Marshimit, nuk është vetë një slogan, ajo mbetet një forcë e gjallë në Kinën bashkëkohore, duke udhëhequr përpjekje si zbutja e varfërisë, rigjallërimi rural, inovacioni shkencor, qytetërimi ekologjik dhe objektivat kryesore të zhvillimit kombëtar.
Së fundmi, 90 vjet pas Marshimit të Madh, kujtimi i atij rrugëtimi mbetet i gjallë në historinë dhe ndërgjegjen kolektive të popullit kinez. Përtej largësive të përshkuara, betejave dhe vështirësive të kapërcyera, ai zë një vend të veçantë në kujtesën kombëtare, si dëshmi e sakrificave të bëra nga miliona njerëz në një nga periudhat më të vështira të historisë së vendit. Ai është pjesë e një trashëgimie që vazhdon të përcillet brez pas brezi dhe që lidhet ngushtë me ecurinë e Kinës moderne.
Në dekadat e fundit, bota ka qenë dëshmitare e shfaqjes së “Mrekullisë Kineze”, shoqëruar nga ngritja e jashtëzakonshme e ekonomisë dhe teknologjisë kineze si pasojë e modernizimit të Kinës. Në fakt, nëse modernizimi i Kinës është një mrekulli zhvillimi në historinë kineze, Marshimi i Madh është një mrekulli mbijetese në kujtesën e saj revolucionare.
Burimi CGTN



















