
Peleshi: T’i thërrasim arsyes, të miturit larg dhunës dhe Shqipëria mbi çdo dallim politik
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi njoftoi shtyrjen me një javë të seancës plenare të planifikuar për sot, duke e lidhur vendimin me situatën e krijuar në vend dhe nevojën për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi njoftoi shtyrjen me një javë të seancës plenare të planifikuar për sot, duke e lidhur vendimin me situatën e krijuar në vend dhe nevojën për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.
Në një deklaratë, Peleshi tha se vendimi u mor për të garantuar zhvillimin e qetë të punimeve të Kuvendit dhe për t’u dhënë deputetëve mundësinë të ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese e ligjore, në një kohë kur, sipas tij, vendi po përballet me akte dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe pasurisë private.
Ai iu referua gjithashtu të dhënave nga institucionet ligjzbatuese për skenarë që mund të cenojnë rendin, sigurinë dhe qetësinë publike.
“Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe”, u shpreh Peleshi.
Kryetari i Kuvendit theksoi se, pavarësisht dallimeve politike dhe interesave të ndryshme, qytetarët kanë një interes të përbashkët kombëtar: Shqipërinë.
Ai nënvizoi se studentët dhe të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga institucionet, të dëgjohen dhe të përfshihen në diskutimet për të ardhmen e vendit.
“Studentët tanë do të jenë shqiptarët e parë që do të dalin në jetë si europianë, pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian. Prandaj ngjarjet e fundit të dhunës, djegieve dhe grabitjeve, që qëllimisht po u vishen atyre, janë një dëm i madh për të gjithë ne”, deklaroi ai.
Peleshi e cilësoi integrimin europian si një proces që kërkon përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët, duke paralajmëruar se tensionet dhe dhuna mund të dëmtojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ai iu referua edhe zhvillimeve gjeopolitike dhe situatës në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se vendi nuk duhet ta pengojë vetë procesin e integrimit.
Në deklaratën e tij, Peleshi bëri thirrje për përmbajtje dhe reflektim, me fokus të veçantë te mbrojtja e të miturve dhe nxënësve të gjimnazeve nga përfshirja në akte dhune.
“Shoqëria jonë duhet ta mbajë frymën dhe të reagojë njëzëri për t’i mbajtur larg dhunës të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve. Ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ata nuk duhet të formohen nga dhuna e rrugës”, theksoi Kryetari i Kuvendit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe forcave politike, pavarësisht përkatësisë, të bashkohen për mbrojtjen e fëmijëve dhe të ardhmen e vendit.
“Fëmijët janë interesi më i lartë i një vendi. Ashtu siç edukohen sot, ashtu do të jetë Shqipëria nesër”, u shpreh Peleshi.
Kryetari i Kuvendit apeloi për dialog dhe debat konstruktiv, duke kërkuar që palët të ulen për të diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë pa harruar interesin e përbashkët kombëtar.
“Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë”, përfundoi Peleshi.
Marrë nga ATSH



















