
Gazetari Artur Nura nderohet me çmim ndërkombëtar në Itali, vlerësim për kontributin në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve
Nura është nderuar me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës “Città del Galateo, Antonio De Ferrariis”, gjatë ceremonisë së edicionit të 13-të, të zhvilluar në Romë, në ambientet e Palazzo della Minerva, pranë Senatit të Republikës Italiane.

Gazetari shqiptar Artur Nura është nderuar me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës “Città del Galateo, Antonio De Ferrariis”, gjatë ceremonisë së edicionit të 13-të, të zhvilluar në Romë, në ambientet e Palazzo della Minerva, pranë Senatit të Republikës Italiane.

Ceremonia mblodhi përfaqësues të gazetarisë, letërsisë, artit, shkencës dhe kulturës.

Aktiviteti u organizua nga shoqata kulturore ndërkombëtare VerbumlandiArt APS dhe synon të vlerësojë kontributet në fushën e kulturës, dijes dhe angazhimit qytetar.
Vlerësimi për Artur Nurën lidhet me veprimtarinë e tij gazetareske dhe trajtimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ai ka bashkëpunuar me media shqiptare dhe italiane, përfshirë Radio Radicale.
Çmimi mban emrin e humanistit italian Antonio De Ferrariis, i njohur si Il Galateo, dhe synon të promovojë dialogun kulturor dhe bashkëpunimin mes popujve.
Burimi ATSH



















