
Ibrahimaj: Platforma “Pasqyra e Çmimeve” informacion për 238 artikuj në 155 pika shitjeje
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot platformën online “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, që synojnë të rrisin transparencën e çmimeve, të nxisin konkurrencën dhe të lehtësojnë shpenzimet e përditshme të familjeve shqiptare.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot platformën online “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, që synojnë të rrisin transparencën e çmimeve, të nxisin konkurrencën dhe të lehtësojnë shpenzimet e përditshme të familjeve shqiptare.
Gjatë aktivitetit ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Ibrahimaj tha se platforma “Pasqyra e Çmimeve” do t’u mundësojë konsumatorëve të krahasojnë çmimet e produkteve në rrjetet e supermarketeve pjesëmarrëse dhe të identifikojnë pikat ku mund t’i blejnë ato me çmime më të ulëta.
“Nisëm nga kjo ide, nga një takim që bëmë me linjat kryesore të supermarketeve, me ato rrjete që kanë degë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh ajo, duke shtuar se konsultimet me operatorët e tregut vijuan deri në konkretizimin e nismës.
Ibrahimaj theksoi se “në platformë janë listuar 238 artikuj, të ndarë në 13 kategori produktesh, me çmime të verifikueshme në 155 pika shitjeje në të gjithë vendin”.
Nisma është ndërmarrë në bashkëpunim me pesë rrjete supermarketesh, konkretisht SPAR, Conad, Big Market, Xhangolli dhe Extra Market, të cilat janë angazhuar të bëjnë transparente çmimet e produkteve të tyre.
“Sot prezantojmë platformën online ‘Pasqyra e Çmimeve’, e cila do të ndihmojë çdo konsumator që të mund të shohë se ku janë çmimet më të lira dhe ku të shkojë për të marrë ato produkte me çmime më të ulëta”, tha ajo.
Sipas Ibrahimajt, kategoritë janë përzgjedhur duke u bazuar në produktet që konsumohen më shpesh nga familjet shqiptare.
“Janë 13 kategori produktesh të përzgjedhura në bazë të atyre që janë më të përdorshme në shportën e konsumit të çdo familjeje shqiptare si sheqeri, vaji, mielli, drithërat, makaronat, fasulet, thjerrëzat, kosi, veza, gjalpi dhe pula, si edhe detergjentët dhe produktet e higjienës”, tha ajo.
Ministrja u shpreh se platforma synon t’u japë qytetarëve mundësinë të krahasojnë çmimet lehtësisht, pa pasur nevojë të vizitojnë fizikisht çdo pikë shitjeje.
“Ne mendojmë që kjo është një nismë që do t’i shërbejë çdo qytetari, i cili nga telefoni, nga kolltuku, mund të shohë dhe të verifikojë se cilat janë çmimet më të lira dhe të përzgjedhë ku do ta bëjë pazarin e vet”, theksoi Ibrahimaj.
Krahas platformës, u prezantua edhe nisma “KURSE”, e cila, sipas ministres Ibrahimaj, ka lindur pas bisedimeve me tregtarët, importuesit, prodhuesit dhe aktorë të tjerë të zinxhirit të vlerës.
Nisma “KURSE” parashikon çmime të fiksuara për 212 produkte deri më 12 janar, në pesë rrjetet e supermarketeve pjesëmarrëse.
Ibrahimaj bëri të ditur se uljet ndryshojnë sipas produkteve, duke arritur në disa raste në 40%, ndërsa për artikuj të tjerë janë 20-22% ose 10%.
Burimi ATSH


















