
Rama në Michigan: Synojmë që në vitin 2030 të ulemi në tryezën e BE-së
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, u ndal edhe te procesi i integrimit në Bashkimin Europian

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, u ndal edhe te procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Ai tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të negociatave, pas hapjes së kapitujve të negociimit, me objektiv përfundimin e procesit deri në vitin 2030.
“Shqipëria që sot është në fazën kur pasi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, po fillon pak nga të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve, me synimin që në vitin 2030 të mbarojë gjithë historia e gjatë e përpjekjes për t’u bashkuar me Evropën dhe Shqipëria të jetë në të njëjtën tryezë, por jo vetëm si prani, por si një shtet me të drejta të barabarta dhe me një pozicion të barabartë në tryezën e përbashkët të familjes së Europës së bashkuar”, tha Rama.
Kryeministri po ashtu ndau me komunitetin shqiptar në Miçigan shifrat e turizmit duke vënë në dukje se Shqipëria ka arritur të tërheqë rreth 12 milionë vizitorë në vit.
Sipas kryeministrit, Shqipëria prej disa vitesh vijon të regjistrojë rritje të ndjeshme të trafikut ajror, duke theksuar se aeroporti shqiptar ka kaluar për nga numri i pasagjerëve aeroportin e Beogradit.
“Janë bërë dhe janë aty dhe i kanë dhënë Shqipërisë të gjitha ato arsye për t’u bërë vendi që ka arritur të tërheqë sot që flasim 12 milionë vizitorë në vit. Vendi që për të pestin a të gjashtin vit me radhë, ka aeroportin me rritjen më të madhe në rajon dhe jo vetëm me rritjen më të madhe relative në raport me vetveten, por dhe aeroportin me numrin më të madh të pasagjerëve duke e lënë pas atë që ka qenë për thuajse një shekull e më shumë aeroporti kryesor i rajonit, Beogradin”, tha Rama.
Burimi ATSH



















