
Së shpejti hapet Konsullata e Përgjithshme në Detroit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në takimin dhe bashkëbisedimin e kryeministrit Edi Rama me komunitetin shqiptar në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në takimin dhe bashkëbisedimin e kryeministrit Edi Rama me komunitetin shqiptar në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në X, Hoxha e cilëson takimin një bashkëbisedim të hapur dhe të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjithçka që na bashkon.
“Shqipëria do të hapë Konsullatën e Përgjithshme në Detroit, për ta sjellë shtetin më pranë qytetarëve, me shërbime konsullore më të mira, më shumë ndërveprim e mbështetje, si dhe lidhje më të forta ekonomike e tregtare me aktorët dhe autoritetet lokale e shtetërore, në funksion të interesave tona kombëtare”, theksoi Hoxha.
Ministri Hoxha u shpreh se “jemi angazhuar dhe do të bëjmë gjithçka që shërbimi ynë publik të jetë, kudo ku ka nevojë, pranë shqiptarëve, sa më funksional dhe sa më efikas. Sepse kudo ku janë shqiptarët, aty është edhe Shqipëria. Aty duhet të jetë edhe shteti shqiptar: pranë tyre, në shërbim të tyre dhe krah tyre, për të ruajtur, mësuar, zhvilluar e trashëguar gjuhën shqipe, për të ruajtur identitetin tonë, për të shpalosur ngjyrat kuq e zi, si dhe për të përcjellë brez pas brezi krenarinë për rrënjët tona”.
“Largësia nuk e zbeh lidhjen me Atdheun: shqiptarët, kudo që jetojnë, janë pjesë e së njëjtës histori, e së njëjtës gjuhë, e së njëjtës zemër”, tha Hoxha.
Burimi ATSH



















