
BSH: Sistemi financiar i qëndrueshëm, depozitat u rritën dhe orientuan kreditimit drejt investimeve
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës janar-qershor 2026, veprimtaria e sistemit financiar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Aktiviteti i sektorit bankar vijoi të zgjerohej me ritme të mira, i mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave, të cilat u orientuan kryesisht drejt kreditimit dhe investimeve në tituj.
Rezultati financiar neto i sektorit bankar ishte pozitiv, ndonëse më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, rreziqet që lidhen me ndërveprimin e sektorit bankar me segmentet e tjera të sistemit financiar, si dhe rreziqet e veprimtarisë së vetë sektorit bankar, vlerësohen në nivele të kontrolluara.
Treguesit e rezistencës financiare dhe rezultatet e ushtrimeve të provës së rezistencës konfirmojnë se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm ndaj rreziqeve të identifikuara, në nivele të ngjashme me periudhën e mëparshme.
Banka e Shqipërisë thekson se mbetet i rëndësishëm forcimi i sistemeve për parandalimin dhe administrimin e rreziqeve, si dhe ruajtja e niveleve të përshtatshme të kapitalizimit të veprimtarisë së sistemit financiar dhe sektorit bankar.
Sipas raportit, zhvillimet ekonomike gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ishin pozitive, të ndikuara nga ecuria e konsumit dhe investimeve, si dhe nga performanca e qëndrueshme e sektorit të turizmit.
Rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit dhe pagave, ndërsa politika fiskale vijoi të ishte e kujdesshme dhe pesha e borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vazhdoi të ulet.
Nga ana tjetër, zhvillimet ndërkombëtare dhe të brendshme kanë sjellë rritje të presioneve inflacioniste. Megjithatë, norma e inflacionit vijon të jetë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Raporti vlerëson se rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare mbeten të pranishme, të lidhura kryesisht me pasigurinë e lartë në zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të konflikteve gjeopolitike dhe tensioneve tregtare.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se aftësia e sistemit financiar për të mbështetur ekonominë, kuadri ligjor dhe institucional për mbikëqyrjen e tij, si dhe kapacitetet për administrimin e rreziqeve, po i nënshtrohen këtë vit një vlerësimi të pavarur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Rekomandimet që do të dalin nga ky vlerësim pritet të përkthehen në reforma për forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe rritjen e aftësisë së tij për t’u përballur me sfidat e ardhshme.
Burimi ATSH



















