
Gonxhja: 1 milion e 717 mijë pasagjerë vetëm gjatë gushtit në aeroportin e Tiranës
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi sot se vetëm gjatë muajit gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë regjistruar 1 milion e 717 mijë pasagjerë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi sot se vetëm gjatë muajit gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë regjistruar 1 milion e 717 mijë pasagjerë.
Përmes një videomesazhi Gonxhja theksoi se kjo shifër flet qartë për Shqipërinë turistike që po konsolidohet dhe për interesin gjithnjë e më të madh të vizitorëve të huaj për vendin tonë.
Ministri vlerësoi se rekordi i 17 gushtit, me mbi 60 mijë pasagjerë dhe 326 fluturime në vetëm një ditë, është një tjetër tregues i këtij realiteti të ri.
“Pas një korriku me afro 1 milion e 650 mijë pasagjerë, 28,1% më shumë se një vit më parë, këto shifra konfirmojnë rritjen e qëndrueshme të turizmit dhe interesin gjithnjë e më të madh për Shqipërinë. Një Shqipëri më e lidhur me Europën dhe botën do të thotë më shumë mundësi për turizmin, më shumë zhvillim për ekonomitë lokale dhe më shumë përgjegjësi për të ndërtuar një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor”, u shpreh ministri Gonxhja.
Gonxhja theksoi se edhe vlerësimet europiane e konfirmojnë këtë ecuri, duke e renditur Tiranën ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në kategorinë e aeroporteve të mëdha.
“Më shumë lidhje ajrore do të thotë më shumë mundësi për turizmin, më shumë zhvillim për ekonomitë lokale dhe një Shqipëri më e hapur, më e aksesueshme dhe më konkurruese në tregun ndërkombëtar të turizmit”, shtoi ai.
Kjo rritje, sipas ministrit, është njëkohësisht një përgjegjësi për të vijuar punën për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, që e shndërron interesin në rritje për Shqipërinë në zhvillim dhe mirëqenie për komunitetet tona.
Burimi ATSH



















