Lojërat Mesdhetare 2030, Gonxhja: Durrësi, një prej destinacioneve sportive të rajonit
Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina & Durrës 2030”, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi në Taranto një takim me presidentin e sapozgjedhur të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Francesco Purromuto, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Iakovos Filippousis.

Në takim ishte i pranishëm edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, së bashku me ekipet përkatëse.
Sipas Gonxhjas, diskutimet u përqendruan te ecuria e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, si dhe te mundësitë për promovimin e Durrësit si një prej qyteteve pritëse dhe destinacioneve kryesore sportive të rajonit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të disiplinave të reja ujore, për organizimin e të cilave Shqipëria ka marrë përsipër një rol të rëndësishëm.
“Durrësi 2030 – sport, det, turizëm dhe një mundësi e jashtëzakonshme për ta vendosur Shqipërinë në qendër të Mesdheut”, u shpreh Gonxhja.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina & Durrës 2030” pritet të shërbejnë gjithashtu si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit sportiv rajonal dhe promovimin e Shqipërisë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Burimi ATSH