
Rama: 8.5 miliardë euro në ekonomi nga turizmi dhe investimet e huaja
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 8.5 miliardë euro hyjnë në ekonominë shqiptare përmes turizmit dhe investimeve të huaja.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 8.5 miliardë euro hyjnë në ekonominë shqiptare përmes turizmit dhe investimeve të huaja.
Në eventin e organizuar mbi programin kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama u ndal te rritja e numrit të turistëve në vend dhe të ardhurat që sjell kjo industri në ekonomi.
“Po të ecësh nëpër Tiranë sot nuk ka më shumë qytetarë të Tiranës që ecin, sa ka turistë. Por për herë të parë në pesë vjet kam parë një grafik në ngecje, jo në rënie, për muajin qershor”, tha Rama.
Sipas tij, turizmi është rritur deri në fund të majit me 26% nga viti i kaluar, ndërsa në muajin qershor kemi 1% rritje dhe shumë kancelime rezervimesh.
“Diskutojnë që këtu është bërë një lavatriçe e madhe parash të pista. Po kush do na linte ne në rast se kjo do ishte vërtetë që të vazhdonim me mbylljen e kapitujve të anëtarësimit në Bashkimin Europian? Vetëm ideja që kjo mund të jetë e vërtetë, do kishte stopuar çdo gjë dhe do ishim bërë targeti i gjithë institucioneve ndërkombëtare”, shtoi Rama.
Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Rama tha se “risia nuk është që ka ardhur një çetë nga hëna dhe po lufton këtu me korrupsionin”.
Por sipas Ramës, “risia është që sistemi ka prodhuar mekanizma të rinj dhe SPAK është pjesë e sistemit.
“Kjo është risia e madhe e transformimit që sistemi po lufton tani, deri dje nuk luftonte. Nuk kishte deri dje sistemi balancat e brendshme për të garantuar imunitet. Sot lufton sistemi dhe po goditet edhe korrupsioni edhe krimi organizuar, edhe trafiqet, edhe rrjetet. Po goditen duke qenë në sytë e të gjithëve në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi Rama.
Rama theksoi po ashtu se nuk ka rënë euro, por leku është forcuar dhe kjo është pasqyrë e një ekonomie tjetër, që nuk është më ajo që ishte deri para 5 viteve.
“Kemi aeroportin më të madh në rajon. Tirana e ka tejkaluar dhe ka lënë mbrapa aeroportin që ka qenë në krye në Ballkan. Këto janë para që hyjnë në këtë ekonomi. Kjo e forcon lekun ”, shtoi Rama.
Burimi ATSH



















