
Rama: Forcimi i lekut sukses i ekonomisë shqiptare
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se forcimi i lekut është një sukses i ekonomisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se forcimi i lekut është një sukses i ekonomisë shqiptare.
Në prezantimin e programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama tha se “forcimin e lekut e lidhin me narkoregjimin, një banalitet absolut që nuk e mbështet dot në asnjë lloj teorie reale ekonomike. Forcimi i lekut është sukses dhe një nga treguesit më kokëfortë të suksesit tonë”.
“Nuk ka të bëjë fare me atë shpjegimin popullor të atyre që i thonë vetes analistë dhe nuk dinë çfarë flasin. Sepse në një vend ku miliarda e miliarda hyjnë çdo vit nga ekonomia reale, 8.5 miliardë po të kemi parasysh kombinimin e turizmit me investimet e huaja nëse do të ishte e vërtetë, do të kishte një alarm që nuk do vinte nga kanalet e informimit si ata që i bien violinës me vesh, po do të vinte nga kanalet institucionale të organizmave ndërkombëtare financiare që ndjekin ekonominë tonë me lupë”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “a ka ekonomi informale në Shqipëri? Patjetër që ka dhe ky është një problem për ne, është një problem për taksapaguesit. Por për këtë nuk mund të ankohen ata që bëjnë informalitet. A ka në Shqipëri para të pisët që qarkullon? Po patjetër ka, po ku nuk ka? Është shumë e ligë në thelb, që t’ia veshësh Shqipërisë duke qenë shqiptar. Nuk ka fare rëndësi se kush është në qeveri dhe kush nuk është në qeveri, t’ia veshësh Shqipërisë duke qenë shqiptar dhe duke pasur pasaportë shqiptare këtë lloj kostumi kaq të ndyrë nuk di se çfarë të bësh”.
Marrë nga ATSH



















