
Karakaçi: Shqipëria, pjesë e strukturës së re të qeverisjes evropiane të aviacionit civile
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi paraqiti sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025”, teksa theksoi se ky pr/ligj siguron pjesëmarrjen e Shqipërisë në një strukturë të re të qeverisjes evropiane të aviacionit civil.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi paraqiti sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025”, teksa theksoi se ky pr/ligj siguron pjesëmarrjen e Shqipërisë në një strukturë të re të qeverisjes evropiane të aviacionit civil.
Gjatë fjalë së tij Karakaçi theksoi se “pr/ligji forcon përfaqësimin e interesave kombëtare në forumet ndërkombëtare që lidhen me harmonizimin e legjislacionit në këtë fushë; rrit bashkëpunimin teknik me partnerët evropianë dhe mbështet procesin afatgjatë të integrimit të sektorit shqiptar të aviacionit në hapësirën evropiane të transportit ajror”.
Ministri Karakaçi theksoi se ky projektligj vjen në një moment unik tashmë për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë, e cila po përjeton një fazë katërcipërisht të re të veprimtarisë së sektorit të transportit ajror, duke përfaqësuar një nga tregjet me rritjen më të shpejtë në Evropë për sa i përket transportit ajror.
Karakaçi informoi se numri i pasagjerëve në aeroportin “Nënë Tereza” në fund të 2025 është rritur 3.5 herë krahasuar me vitin 2019, ndërsa fluturimet me 2.5 herë dhe parashikohet që në vitin 2026 numri i pasagjerëve të shkojë në 13.7 milionë.
“Në një perspektivë më afatgjatë, parashikimet tregojnë se deri në vitin 2040, aeroportet shqiptare mund të presin rreth 24 milionë pasagjerë, duke e vendosur objektivin tonë strategjik në transformimin e Shqipërisë në një qendër rajonale të transportit ajror, duke mbështetur turizmin, ekonominë dhe integrimin evropian”, nënvizoi ai.
Ministri Karakaçi vuri në dukje se liberalizimi i tregut ka sjellë më shumë destinacione dhe tarifa më konkurruese, ku hyrja e kompanive loë-cost si Ryanair apo Wizz Air ka rritur konkurrencën, numrin e destinacioneve dhe aksesin e qytetarëve në transportin ajror.
Sipas tij, Shqipëria ka kaluar që nga viti 2019 që kishte vetëm 37 destinacione, tashmë në vitin 2026 ka 119 destinacione të operuara nga 44 linja ajrore, që demonstrojnë në mënyrë të qartë suksesin e politikave të ndjekura dhe vendimmarrjeve të marra nga qeveria shqiptare.
Po ashtu, shtoi Karakaçi, mbrojtja e të drejtave të pasagjerëve është në qendër të politikave të kuadrit ligjor shqiptar dhe është në përputhje me standardet evropiane.
“Po mitigohen të gjitha ankesat për vonesa dhe anulimet në më të mirën e interesit të qytetarëve. Në vitin 2025, vonesat mbi 3 orë u ulën me 55%, ndërsa anulimet e fluturimeve ranë nga 80 në 50 fluturime dhe ankesat të trajtuara për kompensim janë 100%. Shqipëria vijon me ndjekjen e politikave që theksojnë sigurinë si një prioritet absolut dhe në fakt Shqipëria është vlerësuar si një shtet me risk të ulët në disa fusha kyçe të aviacionit civil”, tha ministri.
Ai bëri të ditur se integrimi evropian në aviacion është një histori e padiskutueshme suksesi dhe në fakt legjislacioni shqiptar është tërësisht i harmonizuar me kuadrin evropian dhe auditimet e Komisionit Evropian.
“Në këto kushte, ratifikimi i kësaj konvente është i rëndësishëm sepse konsolidon pjesëmarrjen e Shqipërisë në arkitekturën evropiane të aviacionit civil. Byroja që formësohet sipas kësaj konvente do të mbështesë koordinimin e qëndrimeve të vendeve anëtare të ICAO-s dhe në forumet e tjera ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe do t’i japë Shqipërisë mundësi më të mira për të marrë pjesë në proceset ku diskutohen politikat dhe standardet e ardhshme të aviacionit”, nënvizoi Karakaçi.
Po ashtu, tha ai, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje i jep Shqipërisë mundësinë për të marrë pjesë aktivisht në drejtimin dhe mbikëqyrjen e Byrosë së re.
Karakaçi ftoi deputetët të mbështesin ratifikimin e kësaj konvente që përfaqëson një hap të ri në përfaqësimin ndërkombëtar, bashkëpunimin teknik dhe integrimin e sektorit shqiptar të aviacionit në zhvillimet evropiane.
Burimi ATSH


















