
Hoxha në Qipro: Mbështetje për integrimin në BE, diskutohet linja ajrore Tiranë-Nikozia
Gjatë vizitës zyrtare në Qipro, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha zhvilloi një takim me homologun qipriot Constantinos Kombos, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.

Gjatë vizitës zyrtare në Qipro, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha zhvilloi një takim me homologun qipriot Constantinos Kombos, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.
Pas takimit, në deklaratën gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Qipros për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një partner të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për thellimin e bashkëpunimit në sektorë si turizmi, energjia, teknologjia dhe investimet.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe perspektiva për hapjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore Tiranë–Nikozia, që do të lehtësonte lëvizjen e qytetarëve dhe do të forconte lidhjet ekonomike dhe turistike mes dy vendeve.
Hoxha ritheksoi gjithashtu qëndrimet e Shqipërisë mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e integrimit evropian të rajonit si faktor stabiliteti. Ai theksoi se njohja e Kosovës kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës evropiane.
Palët diskutuan gjithashtu mbi sfidat e sigurisë në Evropë dhe rajonin e Mesdheut, ku u theksua rëndësia e dialogut, bashkëpunimit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare në zgjidhjen e konflikteve.
Në përfundim, ministri Hoxha falënderoi Qipron për mikpritjen dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Burimi ATSH



















