
Tarran në Himarë, paraqet Forumin e Partneritetit për Mjedisin
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, vizitoi sot bashkinë e Himarës për të paraqitur Forumin e Partneritetit për Mjedisin, i cili do të pilotohet gjatë këtij viti, në Himarë.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, vizitoi sot bashkinë e Himarës për të paraqitur Forumin e Partneritetit për Mjedisin, i cili do të pilotohet gjatë këtij viti, në Himarë.
Forumi synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore, shoqërisë civile, biznesit dhe përfaqësuesve të komunitetit për të adresuar sfidat mjedisore dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm vendor.
Gjatë një takimi prezantues me kryetarin Vangjel Tavo, dhe përfaqësues të bashkisë, Këshilltari Vendas i Programit të Prezencës për Qeverisjen Vendore dhe Mjedisin, Elton Qëndro, paraqiti arsyetimin dhe objektivat e Forumit, vlerën e shtuar të Himarës si bashki pilote dhe përfitimet e pritshme për aktorët vendorë.
Gjithashtu, u prezantuan struktura e propozuar e qeverisjes së Forumit dhe hapat e mëtejshëm për zbatimin e tij.
Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi sfidat dhe përparësitë kryesore mjedisore me të cilat përballet bashkia, mundësitë për të forcuar përfshirjen e aktorëve të interesit dhe pronësinë vendore, si dhe pritshmëritë e bashkisë nga procesi i Forumit.
Diskutimet u përqendruan edhe te mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen dhe tek identifikimi i aktorëve të mundshëm që do të marrin pjesë në Forum.
Një vizitë në terren për të parë nga afër sistemin e menaxhimit të ujërave në Himarë ofroi mundësinë për të diskutuar nismat dhe përparësitë në vijim lidhur me menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore dhe qeverisjen mjedisore.
Nisma e Forumit të Partneritetit për Mjedisin zbatohet si pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i kapaciteteve të qeverisjes vendore dhe përmirësimi i qeverisjes mjedisore në Shqipëri – Faza II”, në bashkërendim të ngushtë me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Burimi ATSH



















