
Hita: Zero tolerancë ndaj ndërtimeve pa leje dhe punonjësve që tradhtojnë uniformën
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, gjatë takimit ndërinstitucional sot në Sarandë u shpreh se askush nuk është mbi ligjin dhe uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përdoret kurrë si mburojë për paligjshmërinë.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, gjatë takimit ndërinstitucional sot në Sarandë u shpreh se askush nuk është mbi ligjin dhe uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përdoret kurrë si mburojë për paligjshmërinë.
Në takimin ku ishte pjesëmarrës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, si dhe krerët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe institucioneve vendore për forcimin e kontrollit të territorit dhe garantimin e sigurisë publike në zonat bregdetare, Hita tha se, Policia e Shtetit është një organizatë në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të qytetarëve dhe në shërbim të tyre.
“Ky është misioni ynë dhe mbi këtë mision ndërtohet besimi që qytetarët duhet të kenë te uniforma e Policisë së Shtetit. Sot nuk jemi këtu vetëm për të folur për një rast paligjshmërie. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përdoret kurrë si mburojë për paligjshmërinë”, tha Hita.
“Në këtë kontekst, sot ndihem i keqardhur dhe njëkohësisht i vendosur, pasi në një nga komisariatet më të rëndësishme të vendit, i cili nga struktura funksionon në nivel drejtorie vendore, janë arrestuar drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme, për shkak të implikimit të tyre në favorizimin dhe lejimin e ndërtimeve pa leje.
Kjo është e papranueshme për integritetin e Policisë së Shtetit. Është e papranueshme për mua, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që një punonjës policie të bëhet palë me shkelësit e ligjit. Kushdo që mban uniformën e Policisë së Shtetit duhet të jetë në anën e ligjit dhe të qytetarëve, jo në anën e paligjshmërisë”, vijoi ai.
Hita tha se kur një punonjës policie apo agjencie ligjzbatuese devijon nga ligji, nuk dëmtohet vetëm institucioni, por cenohet besimi i qytetarëve te shteti dhe te drejtësia. Ndaj, theksoi ai, reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, i fortë dhe pa asnjë kompromis.
“Por dua të jem shumë i qartë: veprimet e disa individëve nuk përfaqësojnë Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të parandaluar dhe goditur fenomenin e ndërtimeve pa leje dhe çdo paligjshmëri tjetër, pa asnjë kompromis.
Në të njëjtën kohë, duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet, se parandalimi i ndërtimeve pa leje nuk është vetëm detyrë e Policisë së Shtetit. Pa diskutim që policia ka barrën kryesore në zbatimin e ligjit dhe në goditjen e paligjshmërisë, por ky është një proces që kërkon bashkëpunim dhe koordinim të përhershëm institucional”, theksoi Hita.
Sipas tij, IMT-ja, Policia Bashkiake, IKMT-ja, pushteti vendor dhe çdo institucion përgjegjës duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin, për të parandaluar në kohë çdo rast paligjshmërie.
Hita tha se “cilido prej këtyre institucioneve që merr indicie, informacion apo konstaton paligjshmëri, duhet të veprojë menjëherë dhe në koordinim me aktorët e tjerë, duke mos lënë asnjë hapësirë për tolerim apo zvarritje”.
Në prag të sezonit turistik, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se bashkëpunimi institucional është jetik, jo vetëm për parandalimin e ndërtimeve pa leje, por edhe për garantimin e rendit, sigurisë publike, sigurisë në plazhe, kontrollit të mjeteve lundruese dhe krijimin e standardeve që qytetarët dhe turistët.
Hita tha se “Policia e Shtetit do të jetë në terren, me tolerancë zero ndaj paligjshmërisë, por presim që çdo institucion të marrë përgjegjësitë e veta dhe të veprojë me të njëjtën vendosmëri”.
“Cilido qytetar që disponon informacion, qoftë edhe për neglizhencë të punonjësve të policisë në dëgjimin dhe trajtimin e shqetësimeve të qytetarëve apo të rasteve të paligjshmërisë, jo vetëm në fushën e krimeve mjedisore, por në çdo fushë ku paligjshmëria gjen terren dhe lulëzon, apo për mbyllje sysh dhe bashkëpunim me shkelësit e ligjit, të më përcjellë 24/7 informacion të bazuar në prova dhe fakte”, pohoi Hita.
Hita shtoi se siguron jo vetëm qytetarët e Sarandës, por qytetarët në mbarë vendin, se është shumë i vendosur për të larguar nga Policia e Shtetit dhe për t’i çuar para drejtësisë, pa asnjë hezitim, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë, cilindo punonjës policie, pavarësisht nivelit apo gradës që mban.
“Zbatimi i ligjit, për mua si Drejtor i Përgjithshëm dhe për institucionin që drejtoj, është primar, ashtu siç është primar edhe shërbimi ndaj qytetarëve. Përmbushja e këtyre dy objektivave madhore kërkon integritet, vullnet, bashkëpunim dhe mbështetje për njerëzit që punojnë çdo ditë në terren. Kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim nga ana ime nuk do t’u mungojnë kurrë”, theksoi Hita.
“Nuk do të toleroj askënd që tradhton detyrën. Ky është standardi që kam ndjekur që ditën e parë të detyrës si Drejtor i Përgjithshëm dhe nga ky standard nuk do të tërhiqem në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës sime.
Policia e Shtetit, me mbështetjen e qytetarëve dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese, do të vazhdojë të pastrohet nga çdo individ që cenon ligjin dhe besimin e qytetarëve. Ky është një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj uniformës dhe ndaj Shqipërisë që duam të ndërtojmë”, pohoi Hita, ndërsa shtoi se qytetarët kanë nevojë të besojnë te Policia e Shtetit.
Burimi ATSH



















