
Nufi takon homologun kroat: Shqipëria do të vijojë rolin aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi sot në Zagreb takim me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić, gjatë të cilit u theksua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh në kuadër të aleancës së NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi sot në Zagreb takim me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić, gjatë të cilit u theksua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh në kuadër të aleancës së NATO-s.
Takimi konfirmoi afrimin e mëtejshëm mes dy vendeve si aleatë të NATO-s, si dhe angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropën Juglindore.
Gjatë diskutimeve, palët trajtuan çështje që lidhen me paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale, duke vlerësuar rëndësinë e koordinimit të përbashkët për përballimin e sfidave të reja të sigurisë.
Ministrat rikonfirmuan gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë ushtarake, si dhe për forcimin e ndërveprimit në kuadër të nismave rajonale.
Në këtë kontekst, u theksua edhe rëndësia e deklaratës trepalëshe Shqipëri-Kosovë-Kroaci, e cila synon rritjen e koordinimit strategjik dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, me fokus të veçantë në industrinë e mbrojtjes.
Ministri Nufi u shpreh se paqja mbetet themeli i çdo angazhimi dhe se Shqipëria do të vijojë të luajë një rol aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke forcuar marrëdhëniet me aleatët dhe duke thelluar koordinimin me Bashkimi Evropian, në funksion të integrimit euroatlantik.
Nga ana e tij, ministri kroat Anušić, vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe progresin e saj në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Burimi ATSH


















